Nga humanizmi fals te njeriu lakmitar
Nga: Gëzim Tushi
Shoqëria shqiptare është në gjendje turbulente, e tronditur jo vetëm konceptualisht nga procesi progresiv i përmbysjes së termave dhe koncepteve të ngurta të doktrinës së vjetër politike të bazuar mbi paradigmat e socialitetit mekanik dhe humanizmit fals. Tipare të propagandës intensive për të ashtuquajturin “humanizëm socialist” si modus viventi universal si kusht për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në raportet e determinuara të humanizmit socialist, mbështetur na parimet e ngurta të kohës së sundimit të socializmit kolektivist e dhe “zinxhirit” totalitar që mbante të lidhur njerëzit në gjendje utopie, në pritje të një shoqërie të drejtë, humane e të barabartë.
Kjo epokë e hipesocialitetit u mbyll. Vendin e shenjtërimit të shoqërisë së barabartë dhe komuniteteve me strukturë humane të imponuar e ka zënë një shoqëri tjetër, e cila solli përmbysjen e skemave të fosilizuara të marrëdhënieve shoqëri-individ. Tani gjërat kanë ndryshuar, por dialektika e ndryshimit ka të mirat dhe të metat sociale, pritmëritë dhe paradokset e saj, sidomos në aspektin e raporteve të reja të determinuara nga demokracia, e cila ndryshe nga idealet humane supersociale dhe mekanike, ka sjellë njeriun si “qenie konkrete”, njeriun si individ me tipare, qëllime e objektiva të personalizuara, në lidhjet e “baraslarguara” nga nevoja e ekzistencës së lidhjeve sociale e komunitare dhe afrim të akseleruar me sendet materiale të konsumit, parasë, qejfit, dëshirave të larmishme dhe lakmive të pangopura si ideal kryesor i realizuar jo në shoqëri dhe në lidhjet e ndërmjetësuara e të humanizuara, por kryesisht nëpërmjet “botës së verbër” të shprehur frenetikisht pas marrëdhënieve prioritare me “botën e sendeve”.
Qytetërimi mekanik barazitar dhe kolektivist, tashmë përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme është “përmbysur”. Mbase jo aq në kuptimin organik se sa si një proces mekanik, kaotik, individualist. Vendin e shoqërisë kompakte nga pikëpamja e raporteve dhe marrëdhënieve sociale uniforme dhe me nivel material pothuaj barazitar dhe “humanizëm të sforcuar”, e ka zënë shoqëria e individit, që në vend të dogmave të ngurta të humanizmit socialist, e ka zënë botëkuptimi i personalizuar ultra materialist, si tipologji e “njeriut lakmitar”, që sjelljen dhe qëndrimin e ka mbështetur në terma likuide dhe zbutje të akseleruar të humanizmit social. Njeriu që tashmë është “tjetër qenie”, që orientohet dhe ndërton jetën në një terren tjetër social, pa mbështetje në doktrinat e mëdha dhe paradigmat e ngurta. Kjo situatë ka diktuar shfaqjen e tipologjisë së njeriut individualist e lakmitar, shoqëruar nga anomia sociale, relativizmi moral, egoizmi.
Nëse e bëjmë krahasimin me të kaluarën, duket sikur shoqëria si strukturë sociale dhe bazament i ekzistencës dhe funksionimit të humanizmit (josocialist) është rrudhur, tkurrur, atrofizuar për shkak të largimit të kuotave të humanizmit mekanik dhe zëvendësimit të tij me tipare të qenësishme tipike për kohën e tanishme, që shfaqet më së shumti si kohë e “rrëmujës sociale dhe përhapjes së zgjeruar të parimeve jo humane të lakmisë individuale”. Nuk ka dyshim dhe nuk mund të mohojmë të vërtetat e kohës që jetojmë, e cila ka sjellë një shoqëri që jo vetëm është liberale, moderne dhe individualiste, por që ka krijuar një çarje të madhe të modeleve të humanizmit, të vjetër apo të ri, duke krijuar paradigma të reja psikosociale që tashmë janë të mbështetura e të frymëzuara nga “matrica” të reja konceptuale individualiste.
Krejt të ndryshme dhe tronditëse për shoqërinë aktuale, e sidomos për njerëzit e mësuar me tjetër lloj “stil jetese”, të me matricat e vjetra kolektiviste e barazitare. Ka tri dekada që shoqëria është përfshirë nga kauza të reja shoqëruar me koncepte turbulente, kaotizëm në ndërtimin e parimeve të reja të rindërtimit të sjelljes sociale mbi bazën e një niveli, natyrisht të ridimensionuar të humanizmit, në favor të individit, por jo në dëm të shoqërisë. Shoqëria shqiptare është duke u përballur me një nivel të intensifikuar të konfuzionit, jo vetëm substrat etik, bazament sociologjikisht të argumentuar, por shoqëruar edhe me shumë probleme konkrete të natyrës empirike.
Duket sikur është situatë e pashmangshme prania e një realiteti social, i cili në mënyrë të determinuar e ka vënë individin përballë “vetes”, ideve të paqarta për nevojën e një niveli të moderuar të humanizmit, duke e bërë fakt ekzistencën gati të pashmangshme të procesi kaotik, të shoqëruar dukshëm me shfaqjen e trajtave kaotike e anomike të tipareve të një lloji të ri të “socializimit kontradiktor”. Realiteti që jetojmë e ka kthyer gati në bindje sociale të pranuar në mënyrë të padiskutueshme, që aktualisht në vend të përpjekjeve konstruktive për të formuluar në sjelljen dhe personalitetin e njeriut, tipare mbase të reja të një “humanizmi të ri” të ridimensionuar me imperativat e kohës, praktikisht ndodhemi përballë epidemisë së superimit sipërfaqësor, zgjerimit nga pikëpamja sociale të epidemisë së “njeriut lakmitar”, që rezen sociale e ka renda sintagmës superindividualiste “unë dhe mua” dhe askush tjetër. Këto zhvillime sociale kanë ndikuar që ideja dhe nevoja e ndërtimit të “humanizmit të ri” është në gjendje kaotike, e dekonstruktuar nga goditjet e perceptimit banal të pragmatizmit individual.
Dobësimi nga çdo ide e nevojës dhe utilitetit të humanizmit është pasojë e faktit se tërheqja morale dhe degradim strukturor po bëhen sunduese. Ato janë realitete të reja sociale, empirike e konceptuale, që favorizojnë shfaqjen e njeriut që e ushqen veten me lakmi material e zili sociale, njeriun që ka bërë busull të jetës vetjake “mediokritetin” lakmitar e ziliqar. Faktet dhe realiteti në të cilin jetojmë janë bërë tronditës, për shkak të zgjerimit të përmasave të lakmisë, sidomos ato të shfaqura në formën e korrupsionit galopant që ka përfshirë shoqërinë, duke e kthyer lakminë në një “ideologji normale” të përbashkët për epokën e hipermodernitetit. Shoqëria shqiptare është duke u përballur me shumë patologji sociale, që në thelb dëshmojnë, se është në zhvillim një proces i përshpejtuar i degradimit moral, që vjen nga ideja pragmatiste e instrumentalizimit të jetës së njeriut, që mendon se e vetmja mënyrë për t’i dhënë kuptim jetës apo për ta bërë atë të qëllimshme, nuk është humanizmi dhe socialiteti human, por vetëm lakmia personale, dobia, leverdia, fitimi, paraja, suksesi, qejfi, kompeticioni.
Për fat të mirë apo të keq lakmia, pragmatizmi, utilitarizmi, zilia janë instrumentet sociale të njeriut të sotëm, thelbësisht individualist dhe egoist, që i ka kthyer ato në matricën e vetme konceptuale të jetës individuale. Si sociolog, duke parë lëvizjet sociale, trendet e akseleruara të degradimit të natyrës së njeriut në shoqërinë tonë, duke bërë brenda kushteve dhe mundësive të mia analiza sintetike dhe diagnostikime të gjëra të realitetit social dhe raporteve të njeriut me të, mendoj se janë duke u shfaqur tipare esenciale dhe dukuri tronditëse, që nuk kanë qenë parashikuar kohë më parë se do të ndodhnin. Njeriu po shndërrohet në qenie gjithnjë e më shumë lakmitare, ambicioze, ziliqare, pragmatiste, madje deri me natyrë “grabitqare”. Nuk duhet as shumë mend, as ndonjë përgatitje e hollë teorike, për të konstatuar ekzistencën dhe zgjerimin e hapësirës për njeriun lakmitar, ziliqar materialist që dëshiron gjithçka. Tani dhe me çdo kusht dhe më shpejt se të “tjerët”.
Thelbësisht lakmitar, që dëshiron atë që ke ti dhe atë që ka ai tjetri, duke e “ushqyer” veten me lakmi të shfrenuar, smirë konsistente, urrejtje të pandërprerë për të përvetësuar atë që ka dhe atë që nuk e ka në dorë. Agresiviteti dhe anormaliteti i këtij realiteti të individit që është ziliqar dhe lakmitar i pangopur, që mendon vetëm për “vete” dhe arsyeton si qenie sociale e izoluar, i vetmuar në “kënetën konsumistike” vetjake, ka si “gjenerator” mentalitetin e gabuar, synimin për të për të pasur vetëm “privatisht” gjithçka dhe sa më shumë të jetë e mundur. Jemi në situatën kur sociologjikisht dhe realisht, po zgjerohet hendeku social, midis individit si qenie individuale e subjekt privat, që shfaq hapur orientimin materialist, lakmitar, egoist e ziliqar, që ka “larguar distancën” e natyrshme e të nevojshme të sjelljes humane, si raport i domosdoshëm midis lirisë individuale, humanizmit dhe përgjegjësisë sociale. Realitetet e sotme në shoqërinë tonë tregojnë gjerësisht me fakte, argumente të mjaftueshme për të vërtetuar se ky “ekuacion” jo vetëm nuk funksionon siç duhet, por ai është kthyer në mekanizëm social që po “ndryshket” nga mungesa e përdorimit social.
Një realitet që gjithnjë e më shumë po kthehet në patologji sociale virulente, për shkak të zgjerimit të psikologjisë së lakmisë individuale, mbivlerësimit të fitimit, pasurisë, luksit konsumizmit individual, që jo vetëm është bërë shqetësues e problematik, me impakt të gjerë, i cili po sjell paralelisht pasoja sociale nga njëra anë dhe krizë të zgjeruar individuale në anën tjetër. Këto realitete, sikurse arsyetojnë sociologët e modernitetit, janë pasojë e drejtpërdrejtë e zhvillimeve sociale, rrjedhojë e faktit, që “…sistemet shoqërore të rendit para-modern janë shkatërruar duke prodhuar kështu një shqetësim narcistik, hedonistik të lidhur me egon”. Anthony Giddens, “Pasojat e modernitetit”, f. 123. Padyshim jemi në momentet kur është e nevojshme të korrigjojmë disa paradigma, që tentojnë të bëhen sunduese, determinante mbi sjelljen e individit lakmitar e egocentrist, i cili krahas ekzistencës së pavarur individuale e jetës private, duhet të pranojë se është pjesë përbërëse e shoqërisë, si ekzistencë sociale e përbashkët.
Patologjia e përhapur si limfë sociale, që ndikon në përhapjen pandemike të mbivlerësimit dhe “ekzaltimit të lakmisë”, po bëhet pengesë për ndërtimin e lidhjeve sociale, konteksteve të larmishme njerëzore. Njeriu është e vërtetë që ka individualitetin e vet, në kuptimin e ontologjisë dhe fenomenologjisë së kuptimit të personalizuar të jetës. Por kjo nuk nënkupton kurrsesi se këtë kuptim e gjen duke qenë kundër të tjerëve, apo thjesht për motive të personalizuara lakmitare dhe qëllime të mbyllura egoistike. Sociologët e modernitetit duke parë shtrirjen, gjerësinë dhe intensitetin e kësaj dukurie, tipike për shoqëritë “hiperkapitaliste” e kanë tipizuar me sintagmën e shoqërisë hedonistike-egoiste, e cila ka kristalizuar në mënyrë masive ndjenjën, dashurinë egoiste të njeriut për veten dhe vetveten.
Duket sikur po jetojmë në kohën paradoksale kur “po na robëron lakmia dhe egoizmi personal”. Për fat të keq, mënyra individualiste, lakmitare dhe egoiste ka filluar të shfaqet dukshëm si dukuri individuale, madje edhe si patologji sociale tek shumë njerëz të shtresave të ndryshme, sidomos të lartat e të mesme, të cilat mendojnë se gjithçka dhe të gjithë duhet të punojnë, të jenë në shërbim të lumturisë së tyre personale. Gjendja është agravuar dhe statusi njeriut lakmitar, egoist ndonjëherë edhe sociopat, duket sikur bërë fenomen ekstentrik, që ka arritur në përmasa që ka filluar të shfaqet si “dukuri jashtë kontrollit” social. Pyetja që në mënyrë të natyrshme lind, pas këtij parashtrimi të realitetit dikotomik midis humanizmit dhe lakmisë, interesave sociale e ato individuale është: a ka shanse për ndonjë ekuacion social më të zbutur, për të rregulluar raportet midis humanizmit dhe lakmisë, egoizmit dhe socialitetit në shoqërinë shqiptare të kohës postmoderne?
Padyshim që po, por me kusht që parimet dhe vlerat e pakontestueshme të individualizmit, që duhen vlerësuar gjithnjë më shumë, nuk mund të qëndrojnë as në kurriz të shoqërisë, as kundër parimeve, normave, vlerave normale të konfirmuara të jetës komunitare. Një raport i ri modern, demokratik i harmonizimit dialektik të parimeve individualiste e qëndrimeve liberale me ato sociale dhe tendencat e reduktuara komunitariste, është rruga që duhet ndjekur si kusht universal, por ende të paplotësuara në jetën tonë, si konditë sine qua non për të pasur një “shoqëri të mirë rregulluar”.