Pajtimi i gjaqeve ishte me rëndësi jetike për luftën çlirimtare në Kosovë

24 tetor 2024 | 12:59

Intervistë me Zoge Shalën, anëtare e Grupit të të Rinjve të Pejës të Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991

Zoge Shala burgoset një javë pasi që i kishte mbushur 18 vjet, më 19 dhjetor 1984, për veprimtari politike patriotike, si pjesëtare e Organizatës Patriotike “Ideali”. Dënohet me tri vjet burg. Prej tyre i vuan dy: Në burgun e Mitrovicës një vit e tetë muaj, ndërsa katër muajt e fundit në Lipjan. Lirohet nga burgu më 1 shkurt 1987.

Ani pse e kishte vuajtur dënimin me burg, nuk i është hequr ndalesa e shkollimit. Në gjimnazin e Pejës nuk i pranohen dokumentet. Provon edhe në Gjakovë, në Klinë, në Prizren, por gjithnjë merr përgjigje negative. Me postë në zarf ia dërgojnë edhe vendimin që e ka të ndaluar shkollimin. Pas një viti i hiqet ndalesa. Regjistrohet së bashku me Myrvete Dreshaj, e cila tashmë kishte dalë nga burgu, dhe e përfundon vitin e katërt përmes provimeve, sepse mundësi tjetër nuk i kishte dhënë pushteti.

Pasi e kryen gjimnazin në Pejë, shkon në Prishtinë për t’u regjistruar në fakultet në drejtimin e matematikës, si e rregullt, por vetë pushteti edhe këtu mori pjesë dhe e dërgoi në shkollën e lartë – me korrespodencë. Nuk pranohet në konvikt, sepse ishte e “papërshtatshme politikisht”. Prandaj detyrohet që gjatë studimeve të banojë në banesë private.

Në vitin 1989, së bashku me Myrvete Dreshajn, Remzije Malajn dhe Haqif Arifin, organizojnë demonstratat e marsit ’89, nga Qendra e Studentëve drejt rrugës për në Podujevë. Demonstratat zgjasin tri ditë. Ia dalin t’i organizojnë tri ditë radhazi, përkundër faktit se kishte shumë gaz lotsjellës, rrahje e burgosje të demonstruesve nga ana e policisë. Ka qenë anëtare e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Së bashku me Myrvete Dreshajn ka marrë pjesë edhe në grevën e studentëve në sallën “25 Maji”, në përkrahje të minatorëve. Së bashku edhe me Remzije Malaj, Nebahate Malaj, Shyhrete Kastrati dhe Zijadin Biçku, i organizojnë demonstratat nga fshati Hogosht e deri në qytetin e Kamenicës.

Zoge Shala bëhet që në ditët e para anëtare e grupit të të rinjve të Pejës (Have Shala, Myrvete Dreshaj, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj dhe Lulëzim Etemaj), nismëtarë të Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve, pas arritjes së pajtimit të parë të Buçollëve të Raushiqit të Pejës, më 10 shkurt 1990, dhe nuk i është ndarë deri në përfundimin e tij. Kështu, numri i vajzave, ish-të burgosura politike, në raport me numrin e djemve, në këtë grup tani ishte katër me tre, në favor të vajzave. Kuptohet, bëhet fjalë për një periudhë të caktuar, pasi që Akile Dedinca kthehet pas një kohe për ta përhapur pajtimin e gjaqeve edhe në vendbanimin e saj, Fushë- Kosovë. Porse, si bërthamë, grupi i të rinjve të Pejës do të ketë raport konstante, tri ish-të burgosura politike: Have Shala, Myrvete Dreshaj dhe Zoge Shala, dhe katër ish-të burgosur, po ashtu politikë: Adem Grabovci, Brahim Dreshaj, Lulëzim Etemaj dhe Ethem Çeku, i cili i ishte bashkangjitur grupit në ndërkohë. Ndërsa dominimin në numër të të rejave në grup e arrin Luljeta Grabovci, studente, e cila i bashkëngjitet grupit që nga dita e parë e fillimit, për të mos u ndalur deri në përfundimin e veprimtarisë së Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë 1990-1991.

Zoge Shala merr pjesë në Kuvendi I të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve, të mbajtur më 19 maj 1990 në Strellc të Epërm të komunës së Deçanit. Ajo, gjithashtu, ishte pjesëmarrëse edhe e Kuvendit II, që nën drejtimin e Have Shalës mbahet më 18 nëntor 1990 në Osek Hylë të Gjakovës.

“Epoka e re”: Zonja Shala, na thoni fillimisht, ju lutem, se në cilin Këshill të Pajtimit të Gjaqeve keni vepruar?
Zoge Shala-Malaj: Në Këshillin e Pejës, përkatësisht në Grupin e të Rinjve të Pejës, nismëtar të Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve dhe Ngatërresave, ish-të burgosurit politikë Have Shala, Myrvete Dreshaj, Brahim Dreshaj, Adem Grabovci dhe Lulëzim Etemaj. Në fakt, angazhimi im për pajtimin e gjaqeve është më i hershëm. Ende pa u vendosur për të filluar aksioni (29 janar 1990) kemi biseduar me Havën te shtëpia ime. Havën e kam kushërirë dhe raportet tona kanë qenë të ngushta, mendimet tona ia shfaqnim njëra-tjetrës, aktiviteti ynë ka qenë, po ashtu, gjithnjë i përbashkët. Pastaj kam shkuar në Prishtinë, sepse kam pasur provim në fakultet, por kyçja ime direkte në aksion ka ndodhur pasi që u mbajt takimi në Raushiq, ku më 10 shkurt 1990 është arritur pajtimi ndërmjet Fazli dhe Idriz Buçollit.
Veprimtarinë time për pajtimin e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave e kam zhvilluar, krahas qyteteve dhe vendeve të tjera, edhe në Tetovë e Gostivar si dhe në Bujanoc. Ndërsa në fshatrat Husaj e Dacaj kam marrë pjesë edhe në formimin e këshillave të pajtimit. Thënë të drejtën, të veprosh në këtë anë ka qenë pak e vështirë sepse asimilimi i shqiptarëve e kishte bërë bukur shumë të veten. Por, me ndihmën e të rinjve të këtyre dy fshatrave si dhe përkrahjen e Haxhi Lajqit, drejtor i shkollës në Dacaj, ia arritëm edhe ta formojmë këshillin edhe të pajtojmë gjaqe.

“Epoka e re”: Ani pse në familjen tuaj mund të ketë qenë ndryshe, oda shqiptare tradicionalisht ka qenë e rezervuar për burra shkaku i mentalitetit patriarkal. A keni pasur hezitime të hyni në to, meqë kjo paraqiste thyerje “rendi”, dhe si jeni ndier?
Zoge Shala-Malaj: Ashtu është. Unë e kam pasur përkrahjen e nevojshme të familjes, prandaj edhe më kanë kuptuar për vendimet që kam marrë. Qëllimi i aksionit për pajtimin e gjaqeve ka qenë falja e gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave, në mënyrë që të pajtohej e bashkohej populli ynë i shtypur, për sfidat e reja që do ta prisnin në rrugëtimin e mëtejmë për t’u çliruar dhe fituar lirinë. Prandaj, nuk kam pasur fare hezitim të hyj nëpër oda të familjeve të hasmuara. Thjesht kam qenë e bindur se do ta thyejmë mentalitetin patriarkal dhe “rendin”, dhe se do të falen gjaqet, plagët dhe ngatërresat. Por, po, kam pasur një lloj emocioni se si do të na presin kur të hyjmë në ato familje, se si do të reagojnë, por assesi hezitim. Hyrja në odën e burrave për ne vajzat ka qenë temë më vete. E mbaj mend shumë mirë hyrjen në shtëpinë e Fatmir Ukës dhe Gani Dacit, që të dy të vrarë në demonstratë nga forcat serbe. Për ne ajo ka qenë thyerje e çdo tabuje, çdo paragjykimi, çdo pengese dhe kështu është dëshmuar se nuk janë vetëm burrat ata që duhet të jenë nëpër oda.

Pushteti serb ka qenë kategorikisht kundër pajtimit tonë

“Epoka e re”: Dhe, a jeni përballur me paragjykime?
Zoge Shala-Malaj: Me paragjykime jam përballur edhe para pajtimit të gjaqeve. Shkaku i tyre dhe jo vetëm, kur jam burgosur për veprimtari politike me Have Shalën, kanë dashur t’i distancojnë familjet tona prej fshatit, të mos hyjë e të mos dalë askush prej banorëve të fshatit në familjet tona. Duhet veçuar me këtë rast për të mirë kryeplakun e fshatit, Zeqir Uka Shala, i cili, në një takim të mbajtur në fshat, nuk ka lejuar një gjë të tillë, duke u shprehur: “Këtë punë që e kanë bërë këto vajza të këtyre dy familjeve unë e kam pritur prej djemve tanë”. Pastaj nuk ka pas fjalë të tjera. Na kanë përkrahur saqë pas daljes tonë nga burgu, së bashku me Havën kemi shkuar nëpër familjet e bashkëfshatarëve, kemi biseduar gjerësisht me ta dhe i kemi bindur që vajzat e fshatit tonë ta vazhdojnë shkollimin.

“Epoka e re”: A e ka nxitur pjesëmarrja juaj në pajtime edhe dhënien e mendimit, madje edhe vetë vendimmarrjen e femrave të tjera nga familjet që kanë falë plagë, gjaqe dhe ngatërresa?
Zoge Shala-Malaj: Po. Gjithsesi. Një shembull konkret: Në fshatin Zllapek të Pejës nëna Nurije Kunraj na ka falë gjakun e burrit pa lejen e djemve, apo familjarëve të tjerë. Kuptohet, ky nuk është rasti i vetëm. Ka pasur edhe shumë raste të tjera.

“Epoka e re”: Të qenët femër dhe ish-e burgosur politikisht, ka qenë përparësi apo, mbase, edhe e metë që ka ndikuar në suksesin e përgjithshëm të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë 1990-1991?
Zoge Shala-Malaj: Në asnjë mënyrë dhe asnjëherë s’e kam parë si hendikep. Përkundrazi, konsideroj se ka qenë përparësi. Sepse rënia në burg për çështje politike e një pjesëtari të familjes e posaçërisht femrës ishte akt guximi dhe atdhetarie që, përkundër rreziqeve që sillte me vete nga pushteti, vlerësohej lart dhe nderohej nga populli. Prandaj, duke pasur parasysh edhe qëndrimin tonë, sjelljen tonë dhe misionin që kishim marrë mbi vete, ani pse me përplot rreziqe, sepse pushteti serb ka qenë kategorikisht kundër pajtimit ndërshqiptar, populli na ka pritur e përkrahur fuqimisht, gjë që është vlerësuar lart dhe lavdëruar nga ana jonë. Andaj, edhe nuk ka munguar suksesi i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve.
Të ishe një ish i/e burgosur politikisht dhe të hyje më pastaj në mesin e popullit, t’ia prekësh me kujdes njërën nga plagët më të rënda, siç ishte gjakmarrja, dhe të të kuptonte, të ngrihej në këmbë të ta falë gjakun në emrin tënd, pra rinisë, Kosovës dhe flamurit kombëtar, them se ka qenë një privilegj i jashtëzakonshëm jetësor.

“Epoka e re”: Si është parë pjesëmarrja juaj në pajtime në rrethet e tjera, jashtë vendlindjes dhe komunës së banimit tuaj?
Zoge Shala-Malaj: Është parë në mënyrë shumë konstruktive. Si diçka krejt normale dhe thjesht një mision, që për t’u përmbushur do të thoshte që herëdokur do të trokisnim edhe në derën e tyre për ta kërkuar faljen e gjakut, plagës apo ngatërresës dhe shtrirjen e dorës së pajtimit. Për një kohë shumë të shkurtër emrat tanë u njohën në gjithë Kosovën dhe pritej që një ditë do të shkonim edhe te ta.

“Epoka e re”: A keni përjetuar ndonjë rast në familjet që keni kërkuar faljen e gjakut, plagës apo ngatërresës kur e keni ndier vetën të mosrespektuar sa duhet dhe, rrjedhimisht, të tepërt?
Zoge Shala-Malaj: Në fillim ka qenë shumë vështirë, sepse ka pasur raste shumë të rënda për faljen e gjakut. Por, dita-ditës u mësuam dhe me një angazhim maksimal së bashku me shokët e fituam besimin, mirëkuptimin dhe mbështetjen. Nuk më ka ndodhur të mos jem respektuar. Përkundrazi, ka raste kur mua direkt ma kanë falë gjakun. “Gjakun po ta fali ty dhe Kosovës”, këto ishin zakonisht fjalët e tyre. Një ndjenjë dhe përjetim i veçantë, që nuk do t’i harroj përjetë dhe që më bën të vazhdoj t’i çmoj shumë të gjitha ato familje të mrekullueshme, shpirtbardha dhe atdhetare, që falën gjakun apo plagën e më të dashurve të tyre, që ne të rinjve na dhanë krah dhe forcë për të ecur përpara dhe përmbushur misionin tonë.

“Epoka e re”: Si femër, a mendoni se e keni pasur mirëkuptimin e duhur, korrektësinë dhe respektin adekuat nga ana e bashkëveprimtarëve?
Zoge Shala-Malaj: Pa asnjë diskutim të vetëm. Unë në këtë rast mund të them sërish se pa bashkëpunimin, mirëkuptimin e plotë, korrektësinë dhe respektin adekuat të bashkëveprimtarëve tanë, edhe përkundër punës së pareshtur që është bërë gjatë gjithë javëve dhe muajve, nuk do të kishim mundur t’ia arrinim suksesit. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka folur rreth seancën…