Zhdukja e qindra pasaportave dhe letërnjoftimeve, MPJD del me arsyetime

25 tetor 2024 | 19:27

Ministria e Punëve të Jashtme ka dalë me reagim lidhur me skandalin në këtë ministri, ku qindra pasaporta diplomatike e letërnjoftime nuk kanë shkuar në duart e njerëzve që i kanë porositur ato në muajt e fundit nga kompania: A.L. DUSHI SH.P.K, që e kishin kontraktuar.

Në njoftimin e MPJD’së thuhet se nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara, por nuk është treguar se ku ndodhen këto dokumente, shkruan Reporteri.net.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës deklaron që nuk bëhet fjalë për humbje dokumentesh, por për vonesa në mbërritjen e tyre në destinacionet e caktuara.  MPJD siguron qytetarët e Kosovës se pajisja me dokumente do të përshpejtohet dhe se asnjë tolerim nuk do të ketë për operatorët që cënojnë cilësinë dhe ritmin e shërbimeve ndaj qytetarëve tanë”, thuhet në reagim.

Lidhur me shkëputjen e kontratës me operatorin në fjalë, Ministria ka thënë se kishte shkaktuar vonesa të papranueshme në dërgimin e dokumentave.

“Si pasojë, MPJD ka ndërmarrë masa të menjëhershme dhe në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi për t’i dhënë fund kësaj kontrate, duke mos lejuar abuzimin me detyrimet ndaj qytetarëve dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, thuhet në reagim.

Gazeta online Reporteri.net ka siguruar vendimin për ndërprerjen e kontratës, ku përmendet se 406 pasaporta, 165 letërnjoftime dhe 4 vendime për lirim/fitim shtetësie s’kanë arritur në destinacione. Për këto dokumente Reporteri.net mëson se janë zhdukur.

Kontrata e shërbimeve postare diplomatike, me numër 216-23-13152-2-1-1, u ndërpre zyrtarisht pas pranimit të rekomandimit nga menaxheri i kontratës, i cili e dërgoi  një rekomandim tek Departamenti i Prokurimit, duke argumentuar se operatori ekonomik ka dështuar në përmbushjen e afateve kohore të përcaktuara në kontratë.

Në këtë dokument thuhet se një nga shkeljet më të mëdha ishte mosrespektimi i afateve kohore për dërgesat diplomatike.

“Dërgesat e para nuk arritën brenda afatit të specifikuar prej 24-48 orësh në Zonën 1. Kjo shkelje e vazhdueshme u shoqërua me paralajmërime nga menaxheri i kontratës, i cili më 26 qershor 2024 dërgoi një vërejtje me shkrim ndaj operatorit. Edhe pse operatori u paralajmërua, një dërgesë tjetër, e nisur më 3 korrik 2024, përsëri nuk arriti në destinacion brenda kohës së caktuar. Kjo përkeqësoi situatën dhe vërejtja e parë me shkrim u dërgua zyrtarisht më 5 korrik 2024”, thuhet në vendim.

Kostoja totale e kontratës ishte 250,000 euro, ndërsa deri në ndërprerje ishin kryer pagesa prej 22,177.78 euro për periudhën qershor-shtator”, thuhet në vendimin për ndërprerje të kontratës.

Ndërprerja e kontratës erdhi pas një periudhe të gjatë ankimimesh nga qytetarët dhe përfaqësitë diplomatike të Kosovës për vonesat dhe cilësinë e dobëta të shërbimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kastriot Zeneli, shpall të pavleshme deftesat e vitit I,II,III te…