Sonte ‘El Clasico’, Reali e Barça synojnë ta tregojnë forcën

26 tetor 2024 | 09:01

Një nga ndeshjet më të mëdha në futboll do të zhvillohet në “Bernabeu” të shtunën në mbrëmje, me Real Madridin që mirëpret Barcelonën për pjesën e lartë të “El Clasico”-s.

Barcelona ka shkëlqyer në La Liga këtë sezon, me skuadrën katalanase që aktualisht është në krye të tabelës, ndërsa Real Madridi qëndron i dyti, tri pikë prapa rivalëve të tyre të përjetshëm. Të dy klubet spanjolle kanë arritur fitore në mesjavë në Ligën e Kampionëve kundër skuadrave gjermane, Borussia Dortmund dhe Bayern Munchen.

Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, në konferencën për shtyp para ndeshjes së “El Clasico”-s kundër Barcelonës ka shprehur mendimin se kjo përballje nuk ka një favorit të qartë.

“Skuadra është mirë, e motivuar pasi, si gjithmonë, kjo është një lojë e komplikuar dhe argëtuese. Barcelona ka një ide shumë të qartë të lojës. Ka një ekip shumë të guximshëm dhe ne duhet të përgatitemi mirë për lojën”, ka thënë Ancelotti.

“Ata me të vërtetë po bëjnë shumë mirë, është e vështirë të përmendësh një favorit në një ‘El Clasico’. Për fat të mirë, asgjë nuk më mban zgjuar natën. Favorit? Nuk ka, varet nga shumë gjëra, nga mënyra se si i menaxhon ndeshjet. Do të ketë raste kur ne kemi kontroll dhe herë të tjera ata do ta kenë. Dhe menaxhimi i kësaj është shumë i rëndësishëm”, ka shtuar ai. “Plani kundër Barçës? Kam diçka në mendje, por duhet ta shihni të shtunën dhe më pas mund të më thoni nëse kam gabuar apo jo”, ka përfunduar Ancelotti.

Për “El Clasico” foli edhe trajneri i Barcelonës, Hansi Flick. Ky i fundit pret një lojë të shkëlqyer dhe me dy ekipet që do t’i përshtaten njëri-tjetrit.

“Të jem i sinqertë, nuk mendoj shumë, por ne duam të luajmë dhe mezi presim. ‘El Clasico’ do të jetë një lojë e shkëlqyer. Kam besim në ekipin tim. Ne kemi qasjen tonë. E patëm kundër Bayernit dhe pamë që duhej të përmirësoheshim. Në çdo ndeshje ju përshtateni. Dhe tani do të përshtatemi me Real Madridin si në të gjitha ndeshjet. Ka gjithmonë lojtarë rivalë të shpejtë. Gjithashtu, te Real Madridi ka, jam i bindur. Në ekipin tim lojtarët po bëjnë punë të shkëlqyeshme. Skuadra doli në krye kundër Bayernit. Kemi përmirësuar kombinimet, kemi bërë mirë me topin dhe pa top… Jemi të vetëdijshëm se duhet të përmirësohemi dhe duhet të përshtatemi me situata të ndryshme”, ka thënë Flick.

“Më pak pushim? Ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë. Real Madridi luajti të martën dhe ne luajtëm të mërkurën. Secili për veten. Lojtarët do t’ia dalin. Ata janë stërvitur shumë mirë. Loja e Real Madridit? Ata do të jenë gati dhe ne po ashtu. Ky është ‘El Clasico’ me shkronja të mëdha ato nga Gjermania nuk janë të njëjta”, ka përfunduar trajneri i Barcelonës.
Ndeshja mes dy skuadrave ndër më të mirat në botë fillon nga ora 21:00.

Formacionet e mundshme:

Real Madrid: Lunin; Vazquez, Militao, Rudiger, Mendy; Valverde, Tchouameni, Camavinga; Bellingham; Vinicius, Mbappe.

Barcelona: Pena; Kounde, Cubarsi, I Martinez, Balde; Casado, Pedri; Yamal, Fermin, Raphinha; Lewandowski.

/EPOKA E RE/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albesa Cacaj ka reaguar pasi që, Shaban Gogaj, i dënuar…