Ndalohen për 48 orë dy të dyshuarit për sulm ndaj Gazmend Muhaxherit
Dy personat që dyshohet se sulmuan fizikisht Kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin, janë ndaluar për 48 orë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë për Rajonin e Pejës, Shkodran Nikçi.
Ai tha se në koordinim të plotë me Policinë po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti.
“Dy persona janë ndaluar për 48 orë për shkak se kanë sulmuar Kryetarin e Komunës së Pejës dhe i kanë shkaktuar lëndime trupore. Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë ndaluar për 48 orë nga prokurori i shtetit. Gjithashtu janë duke u marrë të gjithë veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë e Kosovës për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Nikçi për Reporteri.net.
Edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, e ka konfirmuar se janë arrestuar dy të dyshuarit për sulm.
“Sot rreth orës 08:50, në rrugen Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lendime trupore, të dyshuarit janë arrestuar”.
“Me urdhër të Prokurorit të shtetit të dyshuarit ndalohen për 48-orë”, ka thënë Rugova për Reporteri.net.