IPK nis hetimet lidhur me pretendimet për keqtrajtimin e një qytetari në Mitrovicë të Veriut
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njoftoi se përmes një hetimi do të verifikojë pretendimet e një qytetari serb nga Mitrovica e Veriut se është keqtrajtuar nga zyrtarë policorë.
“Inspektorati Policor sipas detyrës zyrtare ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe hetimit preliminar lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga Policia, pretendime që janë bërë publike sot në media të ndryshme dhe ka pasur një reagim nga shoqëria civile në Mitrovicën e Veriut”, u tha një njoftim.
Inspektorati tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit të së shtunës, kur Policia e Kosovës ka arrestuar dhe e ka shoqëruar në stacion një qytetar, i cili dyshohej se kishte dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të Policisë. Atij i është shqiptuar tiketë për kundërvajtje dhe është liruar, tha Inspektorati.
“Hetuesit e IPK-së përmes një hetimi preliminar do të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim të të njëjtit nga Policia gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore në këtë incident”, u tha në njoftim.