Pacolli pas vizitës te veterani i UÇK-së: Urgjentisht të bëjmë diçka për këtë kategori

28 tetor 2024 | 11:15

Behgjet Pacolli e ka vizituar një veteran të luftës së UÇK-së në një fshat jo larg Prishtinës, dhe ka rrëfyer për kushtet në të cilat jeton ai.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re (AKR) e ka ndërlidhur këtë vizitë me nevojën për përkrahje urgjente ndaj kësaj kategorie.

Sipas Pacollit, çdo veteran meriton nderim, kujdes dhe mbështetje, jo vetëm në fjalë, por në vepra konkrete.

“Me 172 euro pension invalidor dhe pa ndihmë shtesë sociale, ai përballet çdo ditë me pamundësinë për t’i përballuar edhe nevojat më të vogla. Duket sikur ky është fundi i dinjitetit të tij”, ka shkruar Pacolli në “Facebook”.

Postimi i plotë:

U shokova kur e vizitova shtëpinë e një veterani të luftës në një fshat jo larg Kryeqytetit, një njeri që dikur ka dhënë gjithçka për vendin e tij Kosovën dhe sot jeton në kushte që janë përtej çdo ndjenje njerëzore të dhembshurisë. Ai, me shoqen dhe 3 fëmijë, banon në një shtëpi të vjetër dhe të mykur, me mure që shpërbëhen nga lagështia, ku ajri i rëndë dhe mungesa e dritës reflektojnë realitetin e tij të errët.

Një njeri i përkushtuar për këtë tokë, tani jeton i harruar nga shteti dhe shoqëria , ai qe dikur mbrojti me gjak.

Me 172 euro pension invalidor dhe pa ndihmë shtesë sociale, ai përballet çdo ditë me pamundësinë për t’i përballuar edhe nevojat më të vogla. Duket sikur ky është fundi i dinjitetit të tij.

Njerëz si ai nuk duhet të ndihen të braktisur apo të humbasin shpresën, e megjithatë, çdo ditë përballja me sëmundjen dhe vuajtjen ia vjedh ngadalë çdo dëshirë për të ardhmen.

Shëndeti i tij i rënduar nga sëmundjet e mushkërive e ka detyruar të kërkojë trajtim në një spital jashtë shtetit, por një njeri i vetëm si Unë nuk mund të mbajë gjithçka dhe në çdo kohë, mbi supe pa mbështetje të qeverisë.

Si një qytetar i këtij vendi dhe si një individ që beson ende në humanizmin dhe në vlerat që na bashkojnë, jam thellësisht i tronditur dhe i turpëruar që kemi arritur në këtë pikë ku veteranët e luftës, njerëzit që na dhanë të ardhmen tonë, po lihen në harresë.

Çdo veteran meriton nderim, kujdes dhe mbështetje, jo vetëm në fjalë, por në vepra konkrete. Të injorosh të drejtat dhe nevojat e tyre është një tradhti e vërtetë ndaj sakrificës së tyre.

Kjo është një thirrje për të gjithë ata që kanë mundësinë të bëjnë ndryshim – institucionet, qytetarët dhe çdo njeri që beson në dinjitetin njerëzor.

Është koha që të mos heshtim për alle kësaj padrejtësie. Nuk kërkojmë mëshirë, por respekt për ata që u flijuan për lirinë tonë. Nuk duhet të lejojmë që një familje e një heroi të jetojë dhe të vuajë në kushte të tilla.

Duhet të bëjmë diçka, urgjentisht për këtë kategori.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se Sami Lushtaku…