10 mijë trupa koreane janë dislokuar në Rusi

29 tetor 2024 | 08:19

Pentagoni thotë se Koreja e Veriut ka dërguar rreth 10,000 trupa për t’u trajnuar në Rusi. “Ne besojmë se DPRK-ja ka dërguar rreth 10,000 ushtarë për t’u trajnuar në Rusinë lindore”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh, duke iu referuar inicialeve të emrit zyrtar të Koresë së Veriut.

“Një pjesë e ushtarëve tashmë janë zhvendosur më afër Ukrainës dhe ne jemi përherë e më të shqetësuar se Rusia synon t’i përdorë ata në luftime ose për të mbështetur operacionet luftarake kundër forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, pranë kufirit me Ukrainën”, shtoi ajo.

Më herët, NATO-ja konfirmoi se trupa koreano-veriore janë dërguar në Rusi për të ndihmuar Moskën në luftën kundër Ukrainës dhe se një pjesë e tyre është dislokuar në rajonin Kursk të Rusisë, ku forcat e Kievit ndërmorën një sulm të befasishëm në gusht dhe ku ende mbajnë nën kontroll një pjesë të territorit.

“Thellimi i bashkëpunimit ushtarak mes Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën kërcënim për sigurinë e Indo-Paqësorit dhe atë Euro-Atlantike,” u tha gazetarëve në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, pasi zyrtarët dhe diplomatët e NATO-s u informuan nga një delegacion i zbulimit i Koresë së Jugut, si edhe nga zyrtarë ushtarakë.

Rutte tha se vendosja e 3,000 trupave të Koresë së Veriut përfaqësonte “një përshkallëzim të ndjeshëm” të angazhimit të Phenianit në “luftën e paligjshme të Rusisë” në Ukrainë, një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një “zgjerim të rrezikshëm” të luftës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se dërgimi i trupave të Koresë së Veriut ishte një shenjë e “dëshpërimit në rritje” nga ana e presidentit rus Vladimir Putin.

“Mbi 600,000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur në luftën e Putinit dhe ai nuk është në gjendje ta përballojë agresionin ndaj Ukrainës pa mbështetje të huaj”, tha  Rutte.

Pentagoni nuk dha më shumë hollësi mbi trupat apo pajisjet që Koreja e Veriut ka dërguar bashkë me trupat. Kur u pyet nga Zëri i Amerikës se çfarë aftësish shtetesë kanë trupat, zonja Singh tha se “ishin forca shtesë në fushën e betejës”.

“Nëse shohim trupat e DPRK-së që lëvizin në dhe drejt vijës së frontit, ata janë bashkëluftëtarë në luftë”, paralajmëroi ajo.

Kremlini i kishte hedhur poshtë njoftimet për trupat e Koresë së Veriut si “lajm të rremë”. Por Presidenti Putin nuk e mohoi javën e kaluar që trupat e Koresë së Veriut ndodheshin aktualisht në Rusi dhe tha se i takon Moskës të vendosë se si t’i dislokonte ato si pjesë e një pakti sigurie të mbrojtjes reciproke që ai ka nënshkruar me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në qershor.

Në kundërshtim me komentet e presidentit rus, një përfaqësues i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara në Nju Jork i karakterizoi javën e kaluar njoftimet për vendosjen e trupave të Phenianit në Rusi si “thashetheme të pabaza”.

Goditje me dronë

Në frontin e betejës, ushtria e Ukrainës tha të hënën se forcat ruse sulmuan gjatë natës me 100 dronë duke vënë në shënjestër zona në të gjithë vendin.

Forcat ajrore ukrainase thanë se rrëzuan 66 dronë, shumica mbi rajonet Cherkasy, Khmelnytskyi dhe Kiev. Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi gjithashtu dronë mbi Chernihiv, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Kirovohrad, Mykolaiv, Poltava, Rivne, Ternopil dhe Zhytomyr.

Guvernatori i Khersonit, Oleksandr Prokudin tha në Telegram se sulmet ruse goditën ndërtesat e banimit në qytetin Kherson, duke vrarë të paktën dy persona.

Në Kharkiv, zyrtarët njoftuan për sulme me bomba dhe granata ruse, përfshirë sulme që dëmtuan një ndërtesë apartamentesh dhe një shtëpi.

Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov tha në Telegram se të paktën 13 persona u plagosën në sulmet ndaj tre lagjeve të qytetit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi të hënën se shkatërroi 21 dronë ukrainas. Ministria tha se mbrojtja ajrore ruse shkatërroi 13 dronë mbi rajonin Belgorod, gjashtë mbi Byransk, një mbi Voronezh dhe një mbi Kursk. Guvernatori i Voronezhit Alexander Gusev tha se dronët dëmtuan dy biznese dhe plagosën dy persona. /VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do…