Deputetët gjermanë thonë se po punojnë që Kosova të anëtarësohet në KiE
Deputetët e Bundestagut gjerman tregojnë se Gjermania është duke u angazhuar për t’i ndihmuar Kosovës që ta sigurojë mbështetjen e shumicës në Komitetin e Ministrave për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Pavarësisht faktit se më 16 prill të këtij viti Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti raportin e Dora Bakoyannis, që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, Kosova nuk gjeti mbështetje të mjaftueshme në Komitetin e Ministrave.
Shtetet kryesore brenda Këshillit të Evropës kërkuan në fund që shteti më i ri në Evropë të ndërmarrë hapa konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe shkruan teve1.
Por, në këtë rrugë Kosova nuk është vetëm. Deputeti liberal gjerman dhe raportuesi për Kosovën në Bundestag, Thomas Hacker, thotë se Gjermania është duke punuar seriozisht që t’i ndihmoj Kosovës ta siguroj mbështetjen e shumicës për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
“Gjermania është njëra shtetet që më së shumti e mbështet Kosovën. Ishim ne që e shtymë Kosovën për të aplikuar në Këshillin e Evropës, sepse ne mendojmë që Kosova e ka vendin aty. Fatkeqësisht kur erdhi momenti për të votuar patëm frikë se Kosova nuk e kishte shumicën, andaj ne sugjeruam që aplikimi të shtyhej për një kohë tjetër. Ua garantoj që Gjermania është duke punuar në këtë drejtim për t’i ndihmuar Kosovës ta siguroj shumicën për tu anëtarësuar në Këshill”, shprehet deputeti gjerman Thomas Hacker.
E deputeti tjetër gjerman, Boris Mijatoviç, shprehet i befasuar që Kosova nuk gjeti mbështetje të mjaftueshme herën e fundit për tu anëtarësuar në KiE.
Ai thotë se kur të sigurohet mbështetja e shumicës do të caktohet një datë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill.
“Ishim të befasuar kur pamë disa shtetet që nuk ishin të gatshme në atë moment ta mbështetnin Kosovën për tu anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Pra diskutimet për këtë çështje janë duke vazhduar mes shteteve anëtare në Këshillin e Evropës. Kur të sigurohet mbështetja e shumicës atëherë do ta caktohet edhe një datë. Konsideroj se kjo është një çështje duhet të trajtohet me shumë seriozitet”, shprehet Mijatoviç.
Në anën tjetër Serbia ka lobuar aktivisht kundër Kosovës në këtë proces, duke e shkelur kështu Marrëveshjen e Ohrit.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.