“Zbulimi“ historik i një gazetari malazez!

29 tetor 2024 | 12:18

(Marrë nga shkrimet e ish udhëheqësit të LPK-së, heroit, Afrim Zhitia)

Në njërin nga numrat e fundit, gazeta rinore malazeze “Omladinski Pokret“, botoi një artikull me titullin sensacional “Serbia dhe Shqipëria gjatë shekujve ishin një familje”. Autori i shkrimit është njëfarë juristi Titogradas, Maksim Koraq, shef i Shërbimit juridik të Entit meteorologjik të Malit të Zi. Koraq, me një fantazi të sëmurë e shpall një “zbulim” të padëgjuar deri tani: U zgjidh më në fund dilema se prej nga e kanë prejardhjen shqiptarët: Po prej Kaukazit!

Autori “habitet” sesi shkencëtarët nuk e kanë afirmuar këtë të vërtetë, se serbët dhe shqiptarët, sipas vijnë rrugës dhe prejardhjes së njëjtë, ndërsa origjina e tyre e vërtetë është nga Republika e Azerbejxhanit. Në Shqipërinë e Kaukazit, siç e quan autori, krishterimi është bërë si religjion shtetëror qysh në shekullin II dhe ata (shqiptarët) deri në shekullin IX kanë qenë të krishterë, ku pjesërisht e kanë përqafuar fenë islame, i janë bashkangjitur pushtuesit islam dhe janë nisur për të marshuar nëpër Evropë.

Atij i duket e pakuptueshme edhe diçka tjetër, se pse po u fshehkan faktet se në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX nën sundimin turk, rreth 70% të shqiptarëve (ai me një përbuzje prej shovinisti përdor termin “shiptari”) të quajtur arnautë nga Kosova, paskan qenë me prejardhje serbe dhe se në atë kohë shumica e shqiptarëve të sotëm e paskan pasur prapashtesën Vič, në mbiemrat e tyre, ndërsa kohëve të fundit, në Jugosllavi e kanë flakur këtë prapashtesë!

Sipas tij, këto të dhëna “historike” i “vër- tetojnë” burimet e shumta historike e veçmas “shkenca” sovjetike. Hulumtimi i “prejardhjes së përbashkët të serbëve dhe shqiptarëve”, në kurrfarë mënyre nuk do ta rrezikonte qenien shqiptare dhe deklarimin kombëtar të tyre, profetizon juristi Malazias.

“Duhet luftuar tezën e prejardhjes Ilire të shqiptarëve, thotë ai, ngase kjo i shtyn shqiptarët të ndërtojnë Republikën e vet dhe kjo lejon mundësi të aspirohet për Kosovën “etnikisht të pastër” si dhe “Shqipërinë e Madhe”.

Se si kanë arritur shqiptarët nga Azerbajxhani dhe si janë islamizuar ata, autori i artikullit me siguri do ta shpjegojë në ndonjë nga numrat e ardhshëm të revistës Beogradase “Vecernje novosti”.

Verbëria shoveniste po nxjerr mbi sipërfaqe fantazma e lugetër të ndryshëm me fytyrë njeriu. Në kohën kur shkenca historike, me ndihmën e Arkeologjisë e ka vërtetuar kaherë dhe e ka përforcuar me mijëra fakte të vërtetën mbi prejardhjen e shqiptarëve nga Ilirët, tani del një shërbëtor i shovenizmit Serbo- Malazez dhe deklaron se shqiptarët nuk janë shqiptarë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli e Salih Zyba janë përplasur…