Barcelona synon ta blindojë Yamalin me një kontratë afatgjatë
Barcelona është e vendosur të rinovojë vitin e ardhshëm kontratën e yllit spanjoll, Lamine Yamal, duke siguruar të ardhmen e tij afatgjatë në klub. Marrëveshja aktuale e 17-vjeçarit zgjat deri në vitin 2026, por katalanasit kanë arritur tashmë një marrëveshje me Yamal dhe agjentin e tij, Jorge Mendes.
Marrëveshja mes palëve thuhet se është arritur për ta zgjatur kontratën e spanjollit deri në vitin 2030, pasi ai të mbushë 18 vjeç. Mendes u takua me presidentin e Barcelonës, Joan Laporta dhe drejtorin sportiv Deco në fillim të këtij muaji për të diskutuar rinovimin.
Klubi synon të konfirmojë zyrtarisht kontratën e re të Yamal vitin e ardhshëm, e cila pritet të përfshijë përmirësime të konsiderueshme në pagën e tij. Edhe klauzola pritet të përfshihet në kontratë dhe ajo nuk pritet të jetë më e vogël se 1 miliard euro.