AKB-ja shënon 22-vjetorin e themelimit, Shahini: Mision kemi rritjen e prodhimit vendor
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shënuar 22-vjetorin e themelimit. Kryetari i saj, Agim Shahini ka thënë se këto 22 vite kanë qenë të vështira, me sfida e me plotë pengesa.
Mirëpo, Shahini ka theksuar se rrugëtimi i AKB-së nuk ka qenë vetëm mandat por edhe mision për të zhvilluar ekonominë e Kosovës.
“Në 22-vjetorin e udhëtimit tonë të përbashkët me ju, në emër të AKB-së ne po ecim bashkë tash e 22 vjet. Udhëtimi ynë nuk është mandat por mision, e cila do të fokusohet në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit, mbi të gjitha rritjen e prodhimit vendor. Gjatë 22 viteve patëm suksese të njëpasnjëshme por ende misionin nuk e kemi realizuar. Misioni ynë është ta zhvillojmë dhe ta rrisim prodhimin vendor. Do të duhet të rritet vetëdija kombëtare për prodhimet vendore”, ka thënë Shahini, duke theksuar rrugëtimi i AKB-së nuk ka qenë i lehtë. “Ne sot e kemi tavolinën plotë, me bizneset bashkëthemeluese, njerëz që vijnë nga biznesi, politika, kultura dhe sporti”, ka pohuar ai.
Shahini i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të dialogojë me AKB-në në mënyrë që të rritet zhvillimi ekonomik.
“Fuqizimi ekonomik nuk vjen nga deklarimet e thata. Ftesa jonë është, të gjithë këtu që jemi dhe ata që na dëgjojnë të bashkëpunojnë mendjen dhe ta zhvillojmë ekonominë e vendit, sepse është e vetmja shpresë për të qenë shtet qysh dëshirojmë. Kosova ka arritur shumë por jo në arritjet e dëshirueshme”, ka thënë Shahini.