Murati: Nesër mund të miratohet Projektligji për buxhetin në qeveri, ende e kemi shumicën në Kuvend
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije se Projektligji për buxhetin për vitin 2025 është gati.
Ai ka treguar se ky projektligj nesër mund të miratohet në Qeverinë e Kosovës dhe më pas të dërgohet në Kuvend.
“Ekipet janë duke e finalizuar ligjin e buxhetit dhe besoj sapo ta kemi gati, ditën e nesërm mund të thirret mbledhja për ta proceduar në Kuvend, e pastaj janë procedurat që parasheh Kuvendi”, ka thënë Murati në konferencën për medie, ku është bërë me dije rritja e pagave për zyrtarët publikë.
Ai ka thënë se qeveria Kurti e ka ende shumicën në Kuvendin e Kosovës për të miratuar projektligjin në fjalë.
“Sa i përket numrave, ne i kemi numrat, pra e kemi ende shumicën në Kuvend, me gjithë lëvizjet e fundit që kanë ndodhur. Por, ligji i buxhetit duke qenë një ligj tepër i rëndësishme dhe jetik për qytetarët e vendit, për shërbyesit publikë, për pensionistet, pra nuk do të bëhet pjesë e beteje politike apo ndonjë fushate zgjedhore, sepse është ligj që duhet kalohet me patjetër në mënyrë që të ketë vazhdimësi në funksionimin e shtetit”, ka thënë Murati.