Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore merr përkrahjen e Komisionit për Arsim
Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, udhëhequr nga kryetari Ardian Gola, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën u shqyrtuan në parim dy projektligje.
Gjatë kësaj mbledhjeje, i pranishëm ishte edhe ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrullah Çeku, i cili e prezantoi dhe arsyetoi Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, përmes të cilit, siç theksoi ministri, do të themelohet Inspektorati Qendror i Trashëgimisë Kulturore si agjenci ekzekutive, duke mundësuar përmirësimin e kushteve të ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vend.
Pas shqyrtimit Komisioni i dha mbështetje të plotë këtij projektligji, duke e proceduar tutje për shqyrtim te mëtejmë në Kuvend.
Ministri Çeku po ashtu e prezantoi dhe arsyetoi edhe Projektligjin Kundër Dukurive Negative në Sport.
Ministri Çeku theksoi se ky projektligj do të ketë efekt të drejtpërdrejtë në minimizimin e dukurive negative në sport si dhe do të kontribuojë si një aktivitet shoqëror, edukues dhe kulturor, që ndikon direkt edhe në shëndetin dhe mirëqenien e sportistëve. Ky projektligj mori përkrahjen e anëtarëve të komisionit për procedim të mëtejmë në Kuvend.