Konjufca takon ministrin e Arabisë Saudite, flasin për lehtësimin e udhëtimit të qytetarëve në të dyja vendet

29 tetor 2024 | 14:55

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të martën në takim ministrin e Haxhit dhe Umres të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Tawfiq Al-Rabiah.

Sipas njoftimit, Konjufca i ka uruar mirëseardhje ministrit Tawfiq Al-Rabiah në vizitën e tij të parë në Republikën e Kosovës dhe ka shprehur nevojën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Në takim është biseduar për disa çështje të interesit të përbashkët, duke përfshirë lehtësimin e udhëtimit të qytetarëve në të dy vendet dhe qarkullimin e mallrave apo shërbimeve, për nevojën e formimit të delegacioneve të bizneseve si një mekanizëm për të nxitur rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Po ashtu, ata kanë diskutuar rreth përfitimit nga përvojat dhe kapacitetet në fushën e IT-së, si dhe për bashkëpunimin që mundëson në mënyrë sa më optimale ushtrimin e jetës shpirtërore të qytetarëve.

“Në këtë kontekst, Tawfiq Al-Rabiah informoi mbi platformën e-Visa të Arabisë Saudite, si infrastrukturë digjitale që lehtëson procedurat e vizitave, prej të cilës përfitojnë edhe personat që vizitojnë këtë vend për të ushtruar rite fetare të jetës shpirtërore dhe besimit. Ai tha se Arabia Saudite, si në të kaluarën, do të vazhdojë ta mbështesë Republikën e Kosovës, me gatishmëri për të thelluar gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e mira midis dy vendeve”, ka njoftuar Kuvendi.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadori jorezident i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal bin Ghazi Hifzi si dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se po përgatiten…