Rrëfimi i Agron Ramadanit ndaj të akuzuarit për masakrën në Burgun e Dubravës, Gavrilo Milosavleviq

31 tetor 2024 | 18:39

Ish-i burgosuri politik, i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Agron Ramadani e ka identifikuar ish-gardianin e burgut të Dubravës, Gavrillo Millosavleviqin si keqtrajtues gjatë luftës së fundit në Kosovë. Millosavleviq po akuzohet për krime lufte si personi që ka keqtrajtuar të burgosurit shqiptar në Burgun e Dubravës e në veçanti të burgosurin shqiptar Shkëlzim Zllanogën.

Në gjykimin ndaj Gavrilo Milosavleviqit, i akuzuar për masakrën në Burgun e Dubravës, është dëgjuar si dëshmitar Agron Ramadani. Pas ish të burgosurit Ramadani do të dëshmojnë edhe shumë ish të burgosur tjerë të cilët gjatë luftës ishin në Dubravë.

“Unë muj më thanë që nuk ka pasë gardian të burgut të Dubravës dhe të burgosur të nacionalitetit serb dhe nacionaliteteve tjera që nuk kanë marrë pjesë në këtë masakër”- kështu deklaroi dëshmitari Agron Ramadani në gjykimin ndaj të akuzuarit Milosavleviq.

Dëshmitari Ramadani në seancën e datës 30.10.2024 dha dëshminë e tij para trupit gjykues lidhur me këtë rast në Gjykatën e Prishtinës.

“Gardiani sipas mbiemrit i tha ‘ti si nash’. I tha të këndojë, por ai nuk këndoi. E kapi për fyti, s’e di sa sekonda ka zgjatë derisa Shkëlzimit më kujtohet se i dolën sytë jashtë”, tha dëshmitari.

Ramadani vazhdoi duke thënë se të pandehurin një gardian tjetër e thirri me nofkën Gagi.

“Një nga gardianët ka hyrë në dhomë…. fillimisht ju ka drejtu profesor Ukshin Hoti, me fjalët ‘shkaku juj na po bombardohemi’ dhe ‘ju jemi terrorista e na po ju majmë me bukë’, hajde ta këndoni tash të gjithë ‘kush thotë e kush gënjen që Serbia është e vogël’… Ne u habitëm.. më pas asnjëri nga ne nuk ka folur dhe ka filluar aty …Shkëlzim Zllanoga ka qenë në fund te dritarja”, ka rrëfyer ai.

Sipas dëshmitarit Ramadani, i akuzuari e detyroi tani të ndjerin të këndonte këngën që e paraqet Serbinë si të madhe dhe Malin e Zi si pjesë e saj.

“Masi e lëshoi Shkëlzimin, atëherë Shkëlzimi ishte i detyrum të këndonte. Pasi përfundoi, dolën nga dhoma duke thënë ‘rroftë Serbia’ ”.

Ramadani ka thënë se Zllanoga vdiq në burg në Serbi në vitin 2000 dhe vazhdimisht ka pasur dhimbje shkaku që i pandehuri ia kishte shtrënguar fytin. Ngjarja sipas tij ka ndodhur pak ditë para masakrës së Dubravës në maj 1999. Ramadani tha se vetë ka marrë plagë me armë zjarri më 22 maj kur të burgosurit u thirrën me altoparlant të rreshtoheshin në fushën sportive të burgut.

Ai tha se nuk ka gardian të burgut që nuk ka marrë pjesë në masakrën e Dubravës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Iu afrua shumë në vitin 2023 në Stamboll, kur Interi…