Haradinaj me kryesinë e AAK-së diskuton për orientimet programore dhe parafushatën
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot mbledhje të kryesisë së partisë, në të cilën është diskutuar për orientimet programore dhe agjendën e parafushatës, si dhe u miratua rregullorja e brendshme financiare e AAK-së.
Gjithashtu, Haradinaj i ka informuar anëtarët e kryesisë për vizitën e tij të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Gjatë qëndrimit tim në ShBA, theksi kryesor u vendos në kërkesën për anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO. Ky hap përfaqëson kthesën më të rëndësishme për sigurinë e Kosovës dhe elementin kyç për garantimin e zhvillimit ekonomik dhe ngritjen e standardit të jetesës për qytetarët tanë, duke përfshirë pagat dhe pensionet e dinjitetshme. Anëtarësimi direkt në NATO është një strategji gjithëpërfshirëse që do të përmirësonte sistemet arsimore dhe shëndetësore, si dhe do të hapte perspektivë zhvillimi që do të ishte shtysë e madhe për qëndrimin e popullatës në vend, emigrimi i së cilës ka marrë përmasa shqetësuese”.
“Kjo qasje pasqyron vizionin e gjerë që kërkon udhëheqja kombëtare. Duke e parë anëtarësimin në NATO si një përgjigje për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, Aleanca dhe partnerët e saj të koalicionit po ndërmarrin një hap ambicioz drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.