Botohet libri me poezi i Haki Mulliqit
Është botuar libri me poezi i Haki Mulliqit me titull “Pikëllimi i dritës”. Një mendim të shkurtër, por përmbajtjesor, për librin ka shprehur studiuesi dhe kritiku letrar Emin Z. Emini:
Ndonëse opinioni artdashës Haki Mulliqin e njeh me profilin e koreografit, ky libër na e shpërfaq të veshur me petkun e një liriku, do të thosha të vonuar. I vonuar, sepse vetëm pas një jete të tërë prej solisti e koreografi, prej dramatisti e libretisti, dhe vetëm pasi hyn në moshën e tretë, me tërë përvojën e pjekurinë artistike e estetike, na vjen me vëllimin e parë poetik. Në poezi Hakiu nuk e vizaton lulen, por një gjeth a një petale; nuk e pikturon zjarrin dhe flakën e tij, por prushin e hirin; në varg nuk e paraqet kështjellën mbretërore, por një fron mbretëror.
‘Pikëllimi i dritës’ përmban lirika dashurore, të dashurisë së munguar e të kërkuar në terr e në dritë, në det e në kozmos; lirika atdhetare, të një atdheu të cunguar e të ëndërrt, me krisma e oxhak; lirika me temë sociale e etno-kulturore, me lahutë e tirq; lirika të dhimbjes, të mallit, vetmisë e pikëllimit të njeriut për njeriun.
Ligjërimi poetik i Haki Mulliqit ka erëmimin e një puhize të pranvert, me plot figura e motive, me gradacion e ritëm dhe me një ndjeshmëri të veçantë për ekzistencën njerëzore”.
Shënime për autorin
Haki Mulliqi (1958) lindi në Pejë. Shkollimin fillor e mbaroi në Ferizaj, të mesmin në Prishtinë, specializimin për koreografi, në Degën Regji Koreografike në Sofje të Bullgarisë. Studimet bachelor dhe master i kreu në Degën e Koreografisë në Akademinë e Arteve në Tiranë. Studimet master për dramaturgji i mbaroi në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve. Vite me radhë ishte drejtues artistik dhe drejtor në Ansamblin Kombëtar “Shota”. Ka qenë drejtues i shumë ansambleve artistike në Kosovë. Profesor i rregullt në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Disa vjet ka ligjëruar në Fakultetin e Filologjisë në Degën e Gazetarisë. Ka mbi 40 krijimtari koreografike, koreodrama dhe tablo koreografike. Ka bashkëpunuar me shumë regjisorë për realizimin e shumë shfaqjeve teatrore në teatrot e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ka shkruar disa librete. Me krijimtari artistike ka marrë pjesë në shumë festivale të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare dhe është vlerësuar me çmime kryesore. Ka botuar dramën “Mësuesi im i violinës”. Ky është libri i tij i dytë. Jeton dhe punon në Prishtinë.