Haradinaj viziton fermerë e sipërmarrës në Viti: Plani ynë për anëtarësim në NATO do të sjellë zhvillim ekonomik

01 nëntor 2024 | 20:21

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot Komunën e Vitisë, në vazhdën e vizitave nëpër komunat e Kosovës.

Aty ka takuar fermerë, sipërmarrës, bashkëluftëtarë e familje të dëshmorëve dhe tha se u impresionua nga guximi dhe përkushtimi i këtyre njerëzve punëtorë, të cilët ndërtojnë themele të qëndrueshme për zhvillimin e vendit.

Haradinaj ka parë nga afër punën që bëhet në ferma e kompani vitiase.

“Në fermën e Enver Qosës në Sllatinë të Epërme, pashë angazhimin familjar në ruajtjen e traditës dhe prodhimin e mallrave vendore cilësore. Gjithashtu, u njoha me arritjet e kompanisë K-Fenetres në Kllokot, e cila ka 65 punonjës dhe përdor teknologji moderne për të eksportuar produkte në Zvicër. Këto raste ilustrojnë potencialin e lartë të ndërmarrësve tanë”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka thënë se me qeverisjen e tij, Kosova do të transformohet në vend joshës për investime.

“Plani ynë aksional për anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie. Së bashku do ta transformojmë Kosovën në një vend joshës për investime, me ekonomi të përparuar dhe plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike” shkruan Haradinaj.

Postimi i plotë:

Gjatë vizitës në Viti, pata rastin të takohem me fermerë, sipërmarrës, bashkëluftëtarë, familje të dëshmorëve dhe sportistë. U impresionova nga guximi dhe përkushtimi i këtyre njerëzve punëtorë, të cilët ndërtojnë themele të qëndrueshme për zhvillimin e vendit.

Në fermën e Enver Qosës në Sllatinë të Epërme, pashë angazhimin familjar në ruajtjen e traditës dhe prodhimin e mallrave vendore cilësore.
Gjithashtu, u njoha me arritjet e kompanisë K-Fenetres në Kllokot, e cila ka 65 punonjës dhe përdor teknologji moderne për të eksportuar produkte në Zvicër. Këto raste ilustrojnë potencialin e lartë të ndërmarrësve tanë.

Me nderim të thellë, vizitova familjen e dëshmorit Mejdi Korrani në Pozharan, i cili ra heroikisht në Zonën Operative të Dukagjinit.
Gjithashtu kam bërë nderime për Nazim Azemin, luftëtar i dalluar në tri luftërat tona çlirimtare.

Gjatë takimeve me Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve dhe Organizatën e Veteranëve të Luftës, konfirmova zotimin tonë për trajtim të dinjitetshëm të familjeve të dëshmorëve dhe luftëtarëve, me pensione dhe beneficione adekuate.
Entuziazmin e të rinjve vitias, e pashë gjatë vizitës në Klubin e Basketbollit. Aleanca është e vendosur të mbështesë zhvillimin e sportit dhe të rinjve në mbarë vendin.

Plani ynë aksional për anëtarësimin direkt të Kosovës në NATO do të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie. Së bashku do ta transformojmë Kosovën në një vend joshës për investime, me ekonomi të përparuar dhe plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sportisti i njohur shqiptar, Denis Zumberi vetëm pas një muaji…