Ishte edhe kryetari i Kukësit, Kurti ia hodhi valles: Kryetarin e Dragashit s’e ftuan në përurimin e rrugës
Komuna e Dragashit ka reaguar në lidhje me përurimin e rrugës e cila lidh fshatrat e Shqipërisë me ato të Kosovës.
Në një reagim nga komuna, thuhet se anise në përurim ishin të ftuar shumë personalitete, madje edhe kryetari i Kukësit, nuk u ftua kryetari i Komunës së Dragashit, Behxhet Xheladini.
“Në ceremoninë e përurimit, përveç Kryeministrit Kurti të ftuara ishin edhe shumë personalitete nga Kosova dhe Shqipëria, e ndër ta edhe kryetari i Bashkisë Kukës. Në këtë ceremoni nuk ishte ftuar kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, si dhe asnjë përfaqësues nga komuniteti joshumicë, nëpër pronat e të cilëve u ndërtua kjo rrugë.
Mosftuarja e kryetarit të Komunës sonë dhe ftuarja e kryetarit të Bashkisë Kukës, ishte një lëshim protokollar dhe një veprim i shëmtuar dhe jo i ndershëm i atyre që e organizuan këtë ceremoni. Po ashtu edhe injorimi që iu bë komunitetit joshumicë të Komunës sonë.” – thuhet në reagim.
Vlen të theksohet se përurimi i kësaj rruge u komentua shumë, sidomos pas pamjeve ku kryeministri Albin Kurti shihej duke vallëzuar.