“AAK-ja se kalon pragun, PDK e dyta, LDK e treta”, prognozon Bajqinovci
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Mefail Bajqinovci ka shprehur mendimin se gara më e madhe në zgjedhjet e ardhshme është për vendin e dytë, duke theksuar se PDK-ja është vetëm 1% më shumë se LDK-ja në çdo sondazh.
Ai në Blic Interview me Astrit Gashin shprehu dyshime për AAK-në dhe Nismën, duke thënë se “nuk besoj se e kalojnë pragun zgjedhor” për shkak të gabimeve në fillim.
“Gara më e madhë është për vendin e dytë. PDK-ja është veç 1% më shumë se LDK-ja, në çdo sondazh. AAK-Nisma nuk futën në Kuvend, nuk besoj që e kalojnë pragun zgjedhor sepse e kanë nisë gabimisht. Do ta shohim edhe në Gjakovë se si AAK-ja do ta ketë situatën, sepse unë mendoj se do të ketë rënie”, tha Bajqinovci.
Duke folur për situatën në Gjakovë, ai parashikoi se AAK-ja do të përjetojë rënie, duke vënë në dukje se “nuk ka teren të madh nëpër qytete”.
Sipas tij, VV-ja është duke diskutuar me mërgatën mbi temat që i interesojnë, dhe tha se “nuk ka mundësi që salla mos të jetë e mbushur plotë” në takimet e tyre. Ai theksoi se mërgata ka shumë respekt për VV-në dhe për kryeministrin Kurti.
“AAK-ja nuk ka askund teren të madh nëpër qytete. Ne jemi duke disktuar me mërgatën tema të cilat atyre iu interesojnë dhe kudo që shkojmë, në të gjitha vendet, nuk ka mundësi që salla mos të jetë e mbushur plotë. Mërgata ka shumë respekt për VV’në dhe kryeministrin Kurti”, thotë Bajqinovci.
“Ju siguroj se numri i atyre që do të votojnë online nga mërgata do të jetë 100 mijë,” shtoi ai, duke përmendur se pritet të ketë edhe 50-60 mijë që do të vijnë në Kosovë për të votuar fizikisht. “Personalisht, kam komunikuar gjatë gjithë kohës me ta dhe një pjesë e madhe thonë se prap do të vijnë dhe të votojnë,” tha deputeti.
Ai përfundoi duke thënë se “opozita është ende larg dhe nuk e mbërrijnë as 15% të mërgatës”, duke theksuar se mbi 85% e tyre e votojnë VV-në.
Kjo sipas tij, tregon se mbështetja e fortë për VV-në vazhdon të jetë e pranishme në mesin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.