FJALIM I ALI AHMETIT NË BOGOVINË

02 nëntor 2024 | 13:43

I nderuar kryetar i degës,
anëtarë të kryesisë së degës së Bashkimit Demokratik për Integrim – dega Bogovinë, të nderuar këshilltarë në komunën e Bogovinës.

Unë sot jam këtu me një pjesë të anëtarëve të kryesisë,
drejtues të Bashkimit Demokratik për Integrim,
nënkryetarin Bajram Rexhepi,
sekretarin e përgjithshëm Faton Ahmeti, sekretarin organizativ Blerim Bexheti si dhe funksionarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim,
si në drejtim të partisë ashtu edhe në të shtetit.

Ne kemi ndërmarrë një aktivitet pak ndryshe sesa herët tjera që shkon ky aktivitet në drejtim edhe të sanksionimit statuar që degët e Bashkimit Demokratik për Integrim mos të mbajnë më mbledhje si degë, të zgjidhen si degë, por takimet t’i mbajmë me qytetarët, me votuesit, me ekektoratin që të shihet nga populli se si drejtohet situata, zhvillimet, drejtpërsëdrejti të jenë në komunikim.

Kjo praktikë duket shumë më e dobishme për Bashkimin Demokratik për Integrim për të nda punë e përgjegjësi për aktivitete të ndryshme.

Ne jemi në rrethana tepër delikate, jemi në rrethana goxha të vështira këtu në vendin tonë.
Delikate rrethanat janë sepse Evropa është në luftë, po lëvizin trupa të tërë në kufi me Rusinë.
Rusia ka bërë aneksimin e një shteti të pavarur – Ukrainën.
Lindja e mesme, jo larg nga këtu, janë fut në përdorim raketa të kalibrave, distancave të largëta.
Në këto rrethana që gjendet Evropa, Azia dhe tërë globi, nuk mund të jemi indiferentë dhe pa e thënë fjalën tonë se çka i duhet këtij vendi që ne jetojmë, që është shteti jonë.
Këtij vendi i duhet paqeja, i duhet stabiliteti, i duhen marrëdheniet e mira ndëretnike, këtij vendi i duhet angazhim i fortë në luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, sundimit të ligjit, por asesi nuk i duhet përplasja aq më tepër mes dy etnive më të mëdha, etnisë shqiptare dhe maqedone.
Sepse nuk përfiton asnjëra palë nga kjo përplasje.
Unë shumë jam i zhgënjyer me partitë politike të bashkëqytetarëve tanë maqedonas.
Për 22 vite nuk kam mund të kap një deklaratë, prononcim të fortë, ky shtet mund të ec përpara vetëm duke qenë në bashkëpunim e bashkëveprim dy komunitetet më të mëdha, shqiptarët dhe maqedonët.
Përjashtuar një deklaratë në parlamentin e Maqedonisë në vitin 2002 të Branko Cervenkovskit: Unë 6 vjet kam qenë kryeministër, por jo i shqiptarëve.
Le ta dijnë bashëqytetarët e mi maqedonas se ky shtet nuk është më veç i joni, por është edhe i shqiptarëve.
E vetmja dhe e fundit është kjo deklaratë e tij para votimit për kryeministrër në 2002-tën.

Fushata të tërë VMRO-ja 7 vjet e gjysë kundër Bashkimit Demokratik për Integrim që në substancë janë fushata anti-shqiptare. Fushata tërësisht anti-shqiptare. Ishim në partneritet koalicion me VMRO-në, fushata të tëra LSDM-ja duke na quajtur patericë e VMRO-së.
Atëherë dhe sot, ne kemi vendos në radhë të parë prioritet stabilitetin e shtetit dhe zbatim në frymë dhe në germë të marrëveshjes së Ohrit.
Marrëveshja e Ohrit ishte çelësi që ndërpreu luftën, i hapi rrugë e dritë paqes, prandaj mirënjohës duhet të jenë të gjithë, aq ma shumë maqedonasit për këtë marrëveshje që Ushtria Çlirimtare Kombëtare pranoi, i ndërpreu luftimet, i hapi rrugë dialogut dhe paqes.

Sa duhet ta ruajmë ne që kjo Marrëveshje ka avancuar statusin politik dhe juridik të shqiptarëve, dyfish duhet ta ruajnë, në janë patriotë dhe atdhetarë maqedonasit, le ta dijnë maqedonasit se Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka ndërprerë ndarjen dhe copëtimin e Maqedonisë.
Epo të ishim ne dashakeqës për shtetin tonë me automatizëm do pranonim ndarjen.
Unë e respektoj Lupço Georgievskin për transparencën që e ka.
Ai opinionin e vet, bindjet e veta i thotë hapur.
Por nga këtu le t’më dëgjojë Lupço Georgievski ka shumë që më keq e më keq mendojnë për Maqedoninë dhe nuk e thonë.
Lupço Georgievski është trasparent pas më shumë se 22 vitesh, platformën e ndarjes e bëri publike për opinionin.
Unë kam debatuar me Lupço Georgievskin se pse kam qenë kundër ndarjes së Maqedonisë.
Sepse zgjidhje të vetme e kam parë Marrëveshjen paqësore të Ohrit.
Shqiptarët jo qiraxhinj por zot në shtepi të vet.
Ashtu siç e kemi realizuar tash e 22 vjet. Por Marrëveshja e Ohrit nuk është fajtore se ka akoma shqiptarë që nuk mendojnë shqip por shohin se si të rregullojnë grupe të caktuara të vetat.
Pranuan pa asnjë kusht vazalë dhe tradhtuar interesin kombëtar.
Jo mirë për ata, sa ma parë që tërhiqen prej këtij gabimi, aq ma shërbim të madh i bëjnë familjes dhe komunitetit.
Dhe ne nuk jemi zëvendësues që të ikin ata e të marrim ne primat dhe drejtim në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë.
Unë e përshëndes guximin dje në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të kryeministrit aktual pa legjitimitet etnik, duhet t’ia themi për ditë këtë, s’ka legjitimitet etnik Kristijan Mickoski.
Ka fituar zgjedhjet, e kam urar për zgjedhjet që i ka fitu, por hallall kurrë s’ja bëj që i ka poshtëru shqiptarët bashkë me ata shqiptarë që nuk mendojnë shqip.
Që nuk e respektuan vullnetin e shumicës së shqiptarëve dhe të komuniteteve tjera në Republikën e Maqedonisë.
Por ai dje deklaroi që në tetor të vitit të ardhshëm, sot 1 vjet të jemi në zgjedhje të parakohshme, të jashtëzakonshme bashkë me ato lokale.
Kristijan Mickoski këtu është para prove, a është burrë që mban fjalën apo vetëm e ka thënë për t’i frikësuar opozitën maqedone. Opozita maqedone duhet të jetë e guximshme sepse s’ka çka humb, le të përgatitet mirë, sot një vit në fushë të mejdanit me VMRO-në.
Ne në fushë të mejdanit me të gjtihë ata që nuk mendojnë si ne, dhe ata që nuk mendojnë si ne sot hiqen si përfaqësues të shqiptarëve në institucionet e shtetit. Përse e mbështes Kristijan Mickoskin për zgjedhje të parakohshme.
Ka arsye edhe ekonomike, financiare për shtetin. Sepse vitin e ardhshme organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme bashkë me ato lokale, pas katër vjetësh përsëri organizohen zgjedhje, do jenë bashkë lokalet, të përgjithshmet dhe ato presidenciale, tre palë zgjedhje.
20 milionë euro i kursejmë shtetit, le të bëhen 10 qendra për fëmijë.
Le të bëhen 10 menza për shkolla fillore dhe të mesme dhe mos t’i shpenzojmë për zgjedhje.
20 milionë euro për këto ciklet zgjedhore shpenzohet, kështuqë  le të mbahen në të njëjtën kohë, në të njëjtin vit.
Zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme.
Për këtë arsye edhe për t’i dhënë fund këtij veprimi jo të mirë të Kristijan Mickoskit, që është në kundërshtim me 30% të vullnetit të shumicës shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe për kursim në financat dhe buxhetin e shtetit.

Por, do provohet.
Mendoj që ai është burrë i fortë, i madh është.
E ka thënë, do i qëndroj.
Është lëndu Marrëveshja paqësore e Ohrit. Kristijani thotë 2-3 dispozita preken te ligji i gjuhëve.
A e dini çka preket, i hiqet Marrëveshjes së Ohrit zemra dhe truri.
Kur ia heq zemrën dhe trurit është e verbër. Do të thotë, hiqet gjuha shqipe nga përdorimi zyrtar në institucionet e shtetit. Gjyqësi, polici, prokurori.
Dhe thirret në atë se gjoja ka dhënë vlerësim Komisioni i Venecias.
Komisioni i Venecias jep mendim, por ai ligj është votu në Kuvend.
Ka 10 mijë arsye se pse është votu ashtu. Ai ligj avancon por nuk është i përkryer.
Në qoftëse hym ta ndryshojmë Kushtetutën, ndryshohet ligji, atëherë Bashkimi Demokratik për Integrim do kërkojë 100% përdorim të gjuhës shqipe edhe në diplomaci sepse ky ligj nuk e përfshim.
Atëherë po i hymë, hajde.
Duhet ta kuptojnë se këta janë politikanë të rinj.
Ky shtet nuk do kishte nevojë për luftë në qoftëse do e respektonte komunitetin e dytë më të madh.
Gjerat kanë shkuar keq që në 47-tën, kur vritet ministri i pushtetit vendor, Nexhat Agolli.
Dhe këtu bashkëqytetarët, politikanët që kanë udhëhequr bëhen vazalë të Serbisë, të Rankoviçit, të Vukamnoviç Tempos dhe Dushan Mugoshës.
Atëherë e ndryshojnë Kushtetutën, nga shqiptarë – “albanci” që ka qenë, dhe gjuha shqipe është fol në 46-tën, i kemi procesverbalet me zë.
Sali Lisi ka fol në gjuhën e vet shqipe. Është një deputet, të dytë janë oficerë të lartë të ushtrisë së atëherëshme, janë procesverbalet se si kanë fol.
Turku ka fol në gjuhën e vet.
Në fillim të viteve 50-ta hiqet “albanci” nga Kushtetuta e bëhet “shiptari”.
Në fund të viteve 50-ta i zhdukin krejt, edhe “shiptari” edhe “albanci”.
E bëjnë kushtetutën e maqedonasve.
Në 74-tën përmirësohet ky akt dhe bëhet se Maqedonia ka qenë shtet i maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve dhe tjerëve.
Në 89-tën e zhbëjnë Kushtetuën e Republikës së Maqedonisë, hiqen të gjithë, Maqedonia shtet i maqedonasve.
Kjo e shkaktoi luftën.
Shqiptarët nuk e kanë dashtë luftën, u është imponu.
Prandaj me e prek në Kushtetutë, me e prek në ligj tani, është gabim i madh, është shumë keq.
Dhe këtë mund ta bëjnë njerëz që nuk e duan paqen, stabilitetin, sigurinë.

Ne nuk mund të rrijmë indiferent, dhe kjo çështje nuk është më çështje e Bashkimit Demokratik për Integrim, as e partive që aderojnë në Front.
Ndryshimi i ligjit të gjuhës shqipe, heqja e ligjit të gjuhës shqipe është çështje e shqiptarëve dhe shqiptarët një zë duhet të paraqesin në Republikën e Maqedonisë. Mos na prekni gjuhën, se për atë gjuhë jemi burgos, jemi vra e kemi derdh gjak. Nuk është çështje e Bashkimit Demokratik për Integrim, apeloni te çdo shqiptar.
89-tën kur e kanë hequr, nuk kanë hequr partitë politike nga Kushtetuta, por shqiptarët i kanë shly nga Kushtetuta.
Nuk preket ligji i gjuhës se është gjuhë e Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ajo është gjuhë e shqiptarëve.

Kanë hequr etninë nga balancuesi.
A  e dini çfarë do të thotë kjo, që nesër shkon  e konkuron dhe nuk ka përkatësi etnike por do të thotë: Jovani ishte më i mirë se Agimi.
Ec e vërtetoje ti.
Ai tjetri, Zhivko ishte më i mirë se Fisniku. Dhe shqiptarët nuk pranohen më, si përfaqësim etnik.
Është shtyllë, detyrim, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i Marrëveshjes paqësore të Ohrit.
Dëgjoj zëra, se të gjithë janë bë politikanë, se kanë dal nga BDI.
Jo po BDI e ka bë propozimin që ta heq balancerin.
BDI nuk ka bë propozim që të heq etninë. BDI ka bë propozim që të bëhen përmirësime që janë lëshuar me balancerin.
Sepse ka pas maqedonas që kanë konkuruar si shqiptarë, ka pas shqiptarë që kanë konkuru si maqedonas, rom si shqiptarë, shqiptarë si rom.
Varësisht se si i kanë pa konkurset.
Për çka ka nevojë.
Po kjo është 0.2% që ka ndodh apo 0.3%, mos më zini për fjale, do të thotë janë marrë masa dhe është bë projekt se si të përmirësohet ky 0.3% që mos të keqpërdoret përfaqësimi i drejtë.
Fare nuk qëndron ajo se Bashkimi Demokratik për Integrim është pajtuar.
Apo siç thotë Kristijani se dje dëgjova ato qyfire që këndone, gjoja se Bashkimi Demokratik për Integrim, paska SMS-ja ai që me pazar edhe më të ulët sesa VLEN-i pranon të hyjë në Qeveri.
E kisha lut deri në qiell le ta qes bre, njeriu kur flet kështu, deri në qiell e kisha lut. Mos merren me kështu muhabete të ulëta e të ligëta, jo burrërore.
Unë kam porosi se BDI ka kërku.
Kush është ai që ka kërku, a ka emër e mbiemër, qite.

E tash gabimin duhet ta përmirësojë, duhet të reflektojë VMRO-ja, duhet të reflekojnë këta tanët që kanë shku për një sallatë aty. Duhet të reflektojnë.
Të shkohet në zgjedhje, të mos na përsëriten fushatat anti-shqiptare sepse vendit i duhen marrëdhënie të mira ndëretnike.
Vendit i duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Vendit i duhet bërë ndryshimi i Kushtetutës.
A kanë thënë që Bashkimi Demokratik është i korruptuar, i kriminalizuar.
Bashkimi Demokratik ka 10 vite që i lut, hajdeni bëjmë VETING, këtu fillon puna. Hajdeni të bëjmë VETING.
Sepse kemi vlerësu dhe e kemi thënë zëshëm se akoma drejtësia është selektive.
Hajdeni të bëjmë VETING.
Pika e dytë, menjëherë  të nisim hetim të partive politike, të gjithë funksionarëve. Pika tre: Prejardhja e pasurisë për të gjithë funksionarët, hetim.
Pika katër: Ta shohim privatizimin.
Hetim mbi privatizimin.
A ke thënë që jam i korrptuar.
Ma s’pakti Bashkimi Demokratik për Integrim i ka hijë të del të thotë ky ka vjedh ai ka vjedh.
Nuk është kulturë kjo, as kulturë për ndërtimin e shtetit.
Ndërto organe, bë denoncimin.
Për çka janë prokurorët, për çka paguhen, për çka paguhen hetuesit, gjykatësit.
Për këtë punë, të kontrollojnë si funksionin shteti dhe kush bën punë të pista kundër shtetin, e fusin në burg.
Nuk kanë guxim t’i hynë kësaj guxim, ndërsa ne nuk ua heqim nga qafa.

Anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian, të bëhet VETING, zyrtarisht është ligji, e kemi propozu në parlamenta para katër vitesh.
Të hapet hetim për partitë politike, për prejardhjen e pasurisë të çdo funksionari, të hapet hetim mbi privatizimin 91-92 derisa i bënë rrush e kumbulla.
2 miliardë i kanë privatizu.
Komplet shqiptarët dhe komunitetet tjera janë përjashtu.
Më tregoni mua, sa hekatrë ka marrë ndonjë shqiptar në të gjithë Pollogun.
Kanë ardh shqiptarë te unë, sot kanë marrë në Prilep, kanë marrë në pjesën e jugut të Kumanovës.
Dhe i kam pyet përse nuk keni marrë, konkuroni këtu në Pollog.
Më thanë s’ka, se krejt maqedonasit e kanë marrë.
Abdylaqimi ka qenë zv.kryeministër, Gruevski kryeministër.
Në Prilep, Krivogazhdan, i kam thënë Gruevskit i keni përjashtu shqiptarët prej tokave të veta.
S’ka të marrin këto që thoni ju, ua kisha dhënë ca izraelitëve.
Do e marrë shqiptari, dhe e mori.
250 hektarë, tash i ka bë 500 hektarë. Shqiptarët janë përjashtu nga shtëpia e vet, prej pasurisë së vet.
Këtë e kam të konfirmuar prej autoriteteve që janë marrë me këtë punë, që kanë bë gjynah.
Dhe këtë ua kam thënë, këtë që ua them juve ua kam thënë edhe atyre.
Unë nuk bëj politikë me standarde të dyfishta, ndryshe të flas me shqiptarë e ndryshe me maqedonas.
Këtë ua kam thënë edhe atyre, se nuk i thirri në dasëm unë ata.

Andaj gjërat duhet t’i drejtojmë me kujdes. Nuk janë zhvillime për të bë majtap me situata kaq të rënda dhe të vështira që janë Evropa, Bota, Lindja e mesme.
Si mund të hyjmë në procese të rëndësishme ne duke patur në përplasje dy etnitë më të mëdha, shqiptarët dhe maqedonët.
Asnjë vështirësi e problem nuk i ndodh Maqedonisë të futet minoriteti bullgar – kategori kushtetuese.
Përkundrazi, bëhet dallimi, që ka maqedonas dhe ka bullgarë.
Kjo është një temë që është shumë e thellë, që s’dua ta shpalos se na merr orë të tëra.
Problemin që kanë mes vete, luftrat që i kanë bë mes vete e kështu me radhë.

Unë do doja të ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen në këtë takim, në këtë mbledhje të përbashkët me degën e Bogovinës së Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ne do të vazhdojmë me veprimtarinë tonë. Fronti pa asnjë diskutim është unik dhe funksionon.
Me zotëri Thaçin funksionon vetëm njëanshëm, me mua dhe me Bashkimin Demokratik për Integrim.
Nuk është jashtë veprimtarisë dhe jashtë filozofisë e platformës së Bashkimit Demokratik dhe Frontit.

Këto aktivitete kanë nis, do vazhdojnë në secilën degë të mbahen takime të tilla. Sipas nevojës do ta shofim se çfarë organizimesh dhe mobilizimesh do kemi. Për gjithçka do jeni në rrjedha dhe kemi takime për orientimet e mëtutjeshme.

Falemnderit!

Ali Ahmeti,
Bogovinë, 01.11.2024!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e kuvendit,…