FFK-ja e mirëpret ndëshkimin që UEFA ia dha Serbisë për thirrjet anti-Kosovë
Federata e Futbollit të Kosovës e ka mirëpritur vendimin e UEFA-s për ta ndëshkuar Federatën e Futbollit të Serbisë për thirrjet kundër Kosovës dhe sjelljet raciste gjatë ndeshjes mes Serbisë e Zvicrës.
Sipas FFK-së, kjo masë e rreptë është hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së parimeve sportive dhe të respektit në arenën ndërkombëtare.
“Në emër të sportdashësve kosovarë, FFK thekson se një ambient sportiv duhet të jetë i lirë nga mesazhet provokuese, urrejtja dhe diskriminimi. Zyra jonë ligjore ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të raportuar këto shkelje pranë UEFA-s, dhe do të vazhdojmë të ndjekim të gjitha mjetet ligjore për ta adresuar çdo veprim josportiv dhe të dëmshëm që cenon Kosovën dhe vlerat e sportit”.
“FFK mbetet e përkushtuar për të mbrojtur lojtarët, tifozët dhe komunitetin e futbollit nga aktet e urrejtjes dhe provokimet që synojnë të minojnë frymën e “fair play”-it. Federata do të vazhdojë të monitorojë dhe të reagojë kundër të gjitha shkeljeve të normave dhe vlerave në futboll, si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, thuhet në reagimin e FFK-së, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në reagim thuhet se vendimi i UEFA kundër Serbisë është një mesazh i qartë se aktet e tilla të dënueshme nuk kanë vend në sport.
“FFK mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për të kontribuuar në një futboll të pastër, të drejtë dhe të respektuar për të gjithë”, thuhet në reagim.
UEFA dje ka marrë vendim që ta dënojë Federatën e Futbollit të Serbisë me gjobë prej 52 mijë euro për banerin anti-Kosovë, thirrjeve raciste dhe për fishkëllimin gjatë intonimit të himnit të Zvicrës.