DY PUSHKË LIRIE DHE SHTETRRETHIMI
Shkruan: Musli Krasniqi
Më 2 prill 1981 në qendër të Prishtinës, me flamur në dorë, ranë heroikisht DY të rinj, veprimtarë të organizuar klandestinë në lëvizjen çlirimtare të kohës, Naser Hajrizi e Asllan Pireva. Dy shokët e pandarë u vranë nga plumbat e snajperëve të oficerëve ushtarakë serbo-jugosllavë, të vendosur në objektin, atëbotë, të Bankës Popullore, në një shtetrrethim të hekurt ushtarako-policor.
Rreth tre vjet më vonë, ndëmjet 11 e 12 janarit 1984, DY vazhduesit e rrugës çlirimtare të Naserit e Asllanit, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, të rrethuar nga të gjitha anët nga policia dhe ushtria serbo-jugosllave në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, pas një beteje deri në fishekun e fundit, ranë heroikisht, afër njëri-tjetrit.
Gjashtë vjet pas kësaj rënieje, më 2 nëntor 1989, një DYSHE tjetër veprimtarësh çlirimtarë, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, po në shtetrrethim, pas gjashtë orë luftimësh herokisht ranë në lagjen Bregu i Diellit të Prishtinës.
“Ç’perandori qenka kjo që u rrënoka me DY pushkë!?”, kishte pyetur me një ironi të guximshme prokurorët dhe gjykatësit, njëri nga veprimtarët klandestin të arrestuar pas demonstratave gjithëpopullore të ’81-es, kur kishtë dëgjuar aktakuzën “përpjekje për shkatërrimin e Jugosllavisë”, si dëshmi e të cilës i përmendeshin DY pushkë të konfiskuara në shtëpinë e tij.
Që nga pushtimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare, pushtuesi ishte përkujdesur të mos linte armë në duar të shqiptarëve. Historia njeh akte të papara gjenocidi që pushtuesi serb ka ushtruar mbi shqiptarët përgjatë viteve, për të mbledhur çdo armë të mundshme që mund të ishte jashtë kontrollit të tij dhe për rrjedhojë për të shuar që në embrion çdo përpjekje për luftë të armatosur.
Ai e dinte fare mirë që kur DY pushkë do të bëheshin bashkë, shumë shpejt do të bëheshin dyqind, dy mijë, njëzet mijë…
Sigurisht ky pretendim i pushtuesit do të kishte kundërefekt, sepse krismat e DY pushkëve të Rexhpit e Nuhiut, të Afrimit e Fahriut, do të jehonin fuqishëm në qiellin e turbullt të Kosovës në vitet e pushtimit, për t’u bërë bashkë me jehonën e MIJËRA pushkëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në themel të të cilës ishte gjaku i të gjithë veprimtarëve pararendës, duke i dhënë fund shtetrrethimit shekullor.