Trumpi apo Harrisi? Wisner flet se çka parasheh për Kosovën nga ky kandidatët
Ish-diplomati i lartë amerikan i angazhuar në vitet e zgjidhjes së statusit të Kosovës, Frank Wisner, ka dhënë komente se çka parasheh nga Donald Trump e çka nga Kamala Harris ndaj Kosovës.
“Unë supozoj se administrata e Harrisit do të ndiqte synime më pak ambicioze. Ajo do të bënte përpjekje t’i ulte Kosovën e Serbinë në një tryezë, bashkë me evropianët, por do të synonte përparime më të vogla – në ekonomi, tregti, kulturë, lëvizje njerëzish… Pra, në gjëra që fillojnë ta ulin temperaturën mes dy vendeve”, thotë Wisner, siç e citoi “Radio Evropa e Lirë”.
“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë”, thotë Wisner.
Wisner kujton se një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, është përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.