Unitedi e Chelsea ndajnë pikët në ‘Old Trafford’
Ishte padyshim një sfidë spektakolare, pavarësisht se përfundoi në barazim. “Djajtë e Kuq” të Manchester United ia kanë dalë të shmangin humbjen në sfidën e javës së 10-të të Premier Ligë, teksa në mitikun “Old Trafford” mbyllën gjithçka në barazimin 1-1, ndaj “Bluve” të Chelsea, në sfidën e parë në kampionat pa teknikun Erik ten Hag.
Të parët që kaluan në avantazh ishin pikërisht “Djajtë”, të cilët nisën festën në minutën e 70’-të pas një penalltie të ekzekutuar mjeshtërisht nga Bruno Fernandes, megjithatë nuk zgjati shumë, me “shkatërruesin” ekuadorian të mesfushës Moises Caicedo, i cili barazoi shifrat vetëm 3 minuta më vonë për të mbyllur gjithçka në paqe.
Falë këtij rezultati, Chelsea ngjitet në vendin e 4-t të tabelës, me 18 pikë, po aq sa Arsenal e Aston Villa, ndërsa Manchester United mbetet në vendin e 13-të me 12 pikë.