Buja thotë se nuk kishte njohuri për shtabin e përgjithshëm të UÇK-së në mars të ’98-s
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Shukri Buja, ka thënë se nuk kishte njohuri për shtabin e përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në mars të 1998-ës.
“Jo, në atë kohë, jo”, ka thënë Buja, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai është pyetur se a i kujtohet që në deklaratat e tij të mëhershme kishte deklaruar se përreth kësaj kohe ishte njoftuar për shtabin e përgjithshëm përmes komunikatave të tyre.
“Mua më kujtohet se nuk është quajt shtab i përgjithshëm. Nëse nuk gaboj është quajtur shtab qendror në komunikatat e saj publike”, ka thënë Buja.
Më tutje, Buja ka thënë se nuk i kujtohet nëse ka hasur në ndonjë komunikatë të UÇK-së gjatë kohës sa ai ishte në Zvicër.
Ai ka thënë se kur është vrarë Adem Jashari, ai ka qenë në Zvicër dhe ka qëndruar atje për disa ditë pas kësaj ngjarje.
Pas largimit nga Zvicra, Buja ka treguar se ka shkuar në Shqipëri, ku ka qëndruar për 2-3 ditë, duke shtuar se nuk e di saktë pasi është kohë e gjatë. Ai ka thënë se me një grup të shokëve, pas Shqipërisë kanë shkuar në Kosovë.