Gjykimi ndaj ish-gardianit serb, Nait Hasani tregon si i ndihmoi të plagosurit në burgun e Dubravës
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për krime lufte ndaj Gavrilo Milosavleviq, ish-deputeti Nait Hasani në cilësinë e dëshmitarit derisa rrëfeu për ditën kur ndodhi masakra e Dubravës, tha se kur gardianët kanë gjuajtur me armë dhe bomba, ai dhe të burgosur tjerë, kanë mbledhur të plagosurit në fushën e sportit.
Në këtë rast, Gavrilo Milosavleviq në cilësinë e gardianit në burgun e Dubravës po akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ne një grup kemi qëndur në Pavionin C dhe kemi mbledhë të plagosurit që ishin në fushën e sportit, ndërsa ata që vdisinin për shkak të lëndimeve, i grumbullojshim para Pavionit C dhe i mbulonim me batanije. Ndërsa, disa shokë me dushk kanë shkru fjalën anglisht “HELP” dhe e kanë gjuajtur në breg te fusha e sporteve, që avionet e NATOS-s ta shohin që ne po kërkojmë ndihmë”, deklaroi Hasani.
Hasani, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, tregoi se ai dhe shokët e tij çmalleshin me familjarët përmes fotove të tyre kur menduan se ato ishin momentet e fundit të jetës së tyre.
“Disa shokë që kishin fotografitë e familjeve të tyre i hapën fotografitë, i shihnin familjet, i shikonin fëmijët, gratë, nënat dhe hiqnin mallin për herën e fundit”, shtoi Hasani.
Gjithashtu, dëshmitari tregoi se si gardianët i dërguan të mbijetuarit në sallën e sportit, ku gjendeshin gardianët me armë, e që aty menduan që do të pushkatoheshin.
“Jemi përshendetë njëri me tjetrin dhe i kemi thënë njëri-tjetrit që ky është momenti i fundit, jemi përqafu, e kena kërku hallallin që themi ne dhe kemi thënë që të paktën në sallë që po na çojnë atje, do të na pushkatojnë, të paktën mos të shkojmë, mos të dorëzohemi në atë formë, të thërrasim “Rroftë Kosova Republikë” edhe para vdekjes”, tha Hasani.