Sot zhvillohen zgjedhjet presidenciale në SHBA
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë marrin vëmendje botërore dhe këtë vit, në veçanti, kanë marrë mbulueshmëri të madhe mediatike kudo. Atentatet ndaj ish-presidentit Trump, tërheqja e presidentit Biden dhe ardhja në skenë e zëvendëspresidentes Harris, të gjitha kanë luajtur rol në dramatizimin e këtij procesi. Por, zgjedhjet në Amerikë për vëzhguesit e zakonshëm duken mjaft komplekse, sidomos për shkak të sistemit unik zgjedhor.
Amerikanët votojnë për president çdo katër vjet, në të martën pas të hënës së parë të muajit nëntor. Fushata zgjedhore fillon shumë herët, meqë fillimisht ka procese të brendshme zgjedhore brenda partive. Pasi kandidatët marrin mbështetjen nga partitë e tyre, mbahen konventat kombëtare të partive, zakonisht verës, e pastaj fillon fushata intensive mes kandidatëve presidencialë.
Gara në SHBA nuk bëhet për votën e përgjithshme popullore, por për shtete të caktuara. Kjo mund të tingëllojë e çuditshme për dikë që nuk është thellësisht i informuar rreth sistemit zgjedhor në Amerikë, por sistemi është mjaft i thjeshtë, sado i pazakonshëm të jetës.
Oklahoma, Alabama dhe shtete të tjera, konsiderohen si bastione republikane. Të paktën në dy-tri dekadat e fundit, shumica e shteteve kanë votuar njëjtë cikël pas cikli zgjedhor.
Kështu, që në fillim, dy kandidatët e partive të mëdha zakonisht i kanë të sigurta rreth 200 pikë elektorale, edhe pse jo gjithmonë. Duke qenë kështu, krejt beteja zhvillohet në shumë pak shtete ku gara është e ngushtë dhe nuk dihet se kush fiton. Këto shtete kyçe marrin gjithë vëmendjen, kohën, resurset financiare e mediatike të kandidatëve.
Në këto palë zgjedhje, shtetet kyçe që pritet ta vendosin presidentin janë Arizona (11 pikë), Georgia (16 pikë), Michigan (15 pikë), Nevada (6 pikë), North Carolina (16 pikë), Pennsylvania (19 pikë) dhe Wisconsin (10 pikë). Sigurisht, vota është e paparashikueshme dhe nuk mund të thuhet me siguri se shtetet e tjera nuk do të votojnë më ndryshe sesa që mendohet, mirëpo konsiderohet se këto shtatë shtete janë ato ku zhvillohet gara e vërtetë.
Sipas sondazheve të shumta, që nga gushti e deri më sot, rezultatet në këto shtatë shtete janë aq të përafërta sa askush nuk mund të thotë me siguri se kush do të fitojë ku. Në disa prej sondazheve udhëheq Donald Trump, e në disa Kamala Harris. Gjithçka pritet të jetë e ngushtë.
Deri më tani, mbi 75 milionë amerikanë e kanë hedhur votën e tyre, meqë në SHBA shumë shtete i lejojnë qytetarët e tyre të votojnë para ditës së zgjedhjeve. Një numër i ngjashëm pritet të votojë të martën. Në zgjedhjet e kaluara votuan gjithsej 158 milionë amerikanë.
Gara pritet të jetë e ashpër dhe rezultati shumë i afërt. Ndonëse në zgjedhjet e kaluara rezultatet u vonuan disa ditë, sidomos në shtete si Arizona dhe Nevada, këtë vit numërimi pritet të jetë më i shpejtë dhe rezultatet nga shtetet kyçe mund të vijnë të mërkurën. Deri atëherë, sytë e botës do të jenë të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.