Të paktën 30 të vrarë nga sulmi izraelit në Gaza
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 30 persona, shumica gra dhe fëmijë.
Hossam Abu Safiya, drejtori i një spitali që pranoi viktimat, tha se sulmi që la të vrarë 20 persona në veri të Gazës që u krye në orët e vona të së hënës, më 4 nëntor. Ky sulm goditi një shtëpi në Beit Lahija, ku po strehoheshin disa familje.
Në mesin e viktimave ishin tetë gra dhe gjashtë fëmijë, sipas listës së publikuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë.
Ndërkaq, mëngjesin e së martën u vranë edhe dhjetë persona në Gazë, përfshirë katër fëmijë dhe dy gra, thanë autoritetet shëndetësore.
Izraeli është duke kryer një ofensivë të madhe në veri të Gazës për pothuajse një muaj. Ai ka urdhëruar evakuimin e tërësishëm të Beit Lahijas, një qytezë afër Beit Hanunit dhe kampit të refugjatëve në Xhabalia, zonë ku për më shumë se një muaj nuk është lejuar dërgimi i ndihmës humanitare.
Dhjetëra mijëra persona janë larguar nga Qyteti i Gazës, që ndodhet afër, në valën e fundit të zhvendosjeve gjatë luftës, e cila nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraeli.
Sulmi i Hamasit la të vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe grupi radikal palestinez rrëmbeu edhe 250 të tjerë. Afër 100 pengje janë ende brenda Gazës dhe rreth një e treta e tyre besohet se janë të vdekur.
Ofensiva hakmarrëse izraelite ka lënë të vrarë më shumë se 43.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë në shifrat që prezanton për viktimat. Por, ka thënë se mbi gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë.
Afër 90 për qind e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës janë zhvendosur si pasojë e luftës, shpesh disa herë. /REL