FJALIMI I ALI AHMETIT NË KUMANOVË
Të dashur bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë,
invalidë të luftës
I nderuar kryetar i degës, dega e Bashkimit Demokratik për Integrim – Kumanovë, Këshilla vendor, kryesues të këshillave vendor, këshilltarë komunal.
Kjo është një paraqitje, një ndryshim në Bashkimin Demokratik për Integrim që dega të referojë, të raportojë përpara anëtarëve të vet, votuesve të vet, elektoratit të vet.
Të marrë mendime e vlerësime nga të gjithë ata që e kanë mbështetur tash e një çerek shekulli.
Është shumë e vërtetë që ka simptoma jo të mira në drejtim të asaj që tha zotëri Duraku, të shfaqjeve të mosdurimit me botime, me elaborate, dhe kjo burimin e ka që me fushatën e VMRO-së gati për shtatë vjet, fushatë anti-shqiptare, e sofistikuar kundër Bashkimit Demokratik për Integrim, por në thelb ishte anti-shqiptare.
Sepse ne kemi qenë të zgjedhurit e tyre, ne kemi përfaqësuar shqiptarët, ne kemi realizuar kërkesa të shqiptarëve që buronin nga vet Marrëveshja e Ohrit.
Nuk ishte mirë për VMRO-në që doli me moton “Sërish Maqedoninë ta kthejmë”, “Sërish Maqedonia e jona” e kujt? Maqedonia është e gjithë atyre që jetojnë këtu.
Nuk është mirë zotëri Duraku as për ne as për ata ta kthejmë kokën pas.
Ne ngutemi, jo nga frika, por nga trimëria.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që duan të na kthejnë pas se e kanë gabim.
Sepse e kaluara ka çmime shumë të larta, ashtu siç e përmendet Sopotin, por nga Sopoti deri në Strugë, pllëmbë e varr e masakër shqiptarët mbi 100 vite kanë përjetu nga pushtete të dhunshme e arbitrare.
Dhe tani ne jemi paqedashës, ne luftën e bëmë, ne atë që na takon e fituan. Ndryshuam statusin politik dhe juridik të shqiptarëve në hapësirat e veta ku jetonin. Të gjithë ato elaborate, të gjitha ato marrëveshje të fshehta që bëhen, ne i dimë, i dimë dhe do i përdorim të gjitha mekanizmat politik , organizativ që kemi, do i vëmë në funksion tërë miqt tanë të komunitetit ndërkombëtar, në alarm, po rrezikohet një dokument që garantë janë Amerika dhe Evropa.
Garantë për atë dokument është Organizata më e madhe politiko-ushtarake NATO.
Në momentin kur kam nënshkruar amnestinë, e kam nënshkruar me përfaqësusin e NATO-s, Piter Faith.
Nuk e kisha lehtë kur kam hedh firmën. Sepse mu kujtu e kaluara.
Pas shpalljes së amnestisë, në vitin 1945 janë masakruar me qindra-mijëra shqiptarë, pas shpalljes së amnestisë.
Dhe i them Piter Faith-it, zotëri unë po e hedh firmën, por unë i besoj NATO-s sepse nuk flas për vendbanime tjera, por flas vetëm për vendbanimin prej ku vi unë, janë mbi 600 djem të rinj të pushkatuar pas shpalljes së amnestisë në vitin 1945. Prandaj, kam hequr uniformën time. Uniforma ime ka pasur gjak që nuk laheshte me dorë.
Merre këtë uniformë, vendose në sirtarin tënd.
Nëse kjo marrëveshje nuk respektohet, kujtoje këtë gjak sepse ne juve ju besojmë.
Ne ju besojmë dokumenteve që kemi hedh firmën.
Ne kërkojmë të gjitha partitë politike të komunitetit maqedonas të kenë respekt nga këtij dokumenti si dokumenti i vetëm që e ruajti Maqedoninë unike, dhe nëse ka shërbim më të madh se Ushtria Çlirimtare Kombëtare që e ruajti Maqedoninë unike, askush tjetër nuk ka.
Përveç lirisë që ju dha shqiptarëve, e ruajti edhe shtetin.
Prandaj këtë duhen ta dinë mirë komuniteti maqedonas, sepse lehtësisht ne mund të bënim që t’i bashkangjiteshim Shqipërisë ose Kosovës, por Maqedonia nuk do ekzistonte.
Por ne nuk deshëm të bënim as shkëmbim territoresh, as shkëmbim popujsh, sepse e dhimbshme do ishte për dy palët.
Prandaj pranuam një dokument që detyrimisht ta respektojmë njëri tjetrin, por jo duke gërvishtur mbi plagë të vjetra, se po gërvishte mbi plagë të vjetra, të rejat dhëmbin shumë e më shumë.
Prandaj çështja që ne sot shtrojmë përpara qytetarëve shqiptarë, janë çështje që nuk i takojnë vetëm Bashkimit Demokratik për Integrim, nuk i takojnë vetëm degës së Bashkimit Demokratik për Integrim, dega në Kumanovë.
Ju takojnë të gjithë shqiptarëve.
T’i thërrasim të gjithë ata shqiptarë që kanë votuar në anën e kundër, le të kthehen dhe ta mbrojmë të gjithë kauzën tonë, sepse kauza po na rrezikohet.
Po preket gjuha, po preket etnia, po preket mërgata shqiptare, i hiqet e drejta mërgatës shqiptare të votojë dhe të angazhohet politikisht për vendin e vet.
E mirë na qenka mërgata të bijnë franga, euro e dollarë, ndërsa kur vjen puna që ata të marrin pjesë në jetën politiko-shoqërore atëherë t’i përjashtojmë.
Prandaj kjo çështje është e të gjithë shqiptarëve që t’i thërrasim të gjithë që mos rrezikohet, mos të cenohen të arriturat që me gjak e me djersë i kanë bërë shqiptarët.
Kemi edhe shumë punë për të bërë, duhet ta dinë partitë politike maqedonase se ky shtet është edhe i shqiptarëve. Përfundimisht duhet ta bindin vetveten se ky shtet nuk është në pronësi vetëm të komunitetit maqedonas.
Dhe ne asgjë jashtë marrëveshjes dhe gjakut që kemi derdh.
Për atë flamur dergjëm gjak, për këto univeristete derdhëm gjak, ne mbrojmë gjakun e derdhur që e kemi bërë dhe asgjë më shumë. Kështuqë vendi duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por duke u kthy pas sigurisht që edhe Evropia të vendos barikada.
Ky vend ka nevojë për paqe, stabilitet, siguri dhe bashkëpunim në mes etnive. Prandaj sa më parë të jemi pjesë e Evropës, pjese e BE-së, aq më mirë është për ekonominë tonë, aq më mirë është për të gjithë njerëzit e biznesit, qofshin shqiptarë, maqedonas, turq, romë, boshnjakë.
Fiton i tërë biznesi, fiton paqeja, siguria, ardhmëria.
Si mund te jetojmë ne të izoluar dhe ne konflikt me njëri tjetrin ku në këtë situatë tërë Evropa është ne luftë, Rusia ka aneksuar Ukrainën.
Në lindjen e mesme bëhen luftime, me qindra – mijëra njerëz vriten.
Ne sot na duhet që palët politike që përfaqësojnë komunitetin maqedonas të bëjnë thirrje dhe apele për qetësi e për bashkëjetesë me shqiptarët, komuniteti i dytë më i madh, mbi 30%.
Të ecim përpara, drejt standardeve në luftë kundër krimit, korrupsionit.
Pse ne, kemi dhënë prova, që për ne prioritet mbi prioritete nuk është të qenurit në Qeveri, por anëtarësimi i vendit në BE.
Kur e vendosi kusht Kristijan Mickoski, po unë vi në qeveri për ndryshimet kushtetuese me kusht që Bashkimi Demokratik për Integrim të largohet nga institucionet.
Akoma pa dal prej konferencës së shtypit, përgjigja iu dha aty për aty, ballë për ballë, udhëro voto ndryshimet kushtetuese, dorëheqjet kolektive Bashkimi Demokratik për Integrim i paraqiti në Qeveri.
Edhe sot ne këtyre të VLEN-it ju themi, sot le të tërhiqen, ne nuk bëhemi pjesë të Qeverisë, ne kemi vija të kuqe, ne pa marrëveshje çerek shekulli nuk kemi hy nëpër partneritete, e kemi dit çka do bëjmë sot, çka do bëjmë pas katër vjetësh.
Nuk kemi hy ne për skara e biftek, por kemi hy për të jetësu platformë e program që buron si nga Marëveshja e Ohrit, që buron nga i tërë elektorati që për 22 vite me radhë na ka besuar dhe kurrë nuk do zhgënjehen nga ky përfaqësim, nga ky drejtim, nga ky investim kombëtar që ka ngrit kuadro të paepura, të përgatitura, nëpër të gjitha fushat Bashkimi Demokratik për Integrim.
Bashkimi Demokratik për Integrim i korruptum! Ka katër vite që kemi propzuar ligj për Veting, të bëhet Veting për të gjithë funksionarët, për të gjithë gjykatësit, prokurorët, drejtues të policisë, propozimi është ne parlament, nuk janë pajtuar as njëra as tjeta, as VMRO as LSDM.
Ne i kemi propozuar prokurorit të përgjithshëm që të hapet hetim për partitë politike, filloni nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Le t’fillohet hetim për tërë pasurinë e politikanëve, le të fillohet hetim për tërë privatizimin e viteve 91-92 që ka ndodh në këtë vend, por s’kanë guxim se të gjithë të njëllosur e të përlyer janë.
Me ne lë të urdhërojnë.
Tani unë nuk mund të dal në çdo takim, tubim e emision televiziv të flas kush është i korruptum e kush jo, për çka paguhen gjykatës, prokurorë e hetues, por ata duhet të jenë të ndershëm dhe ne jemi kundër drejtësisë selektive.
Veting po, me ndërmjetësim si nga Brukseli edhe nga Uashingoni.
Me radhë u hymë, hetim për të gjithë, një për një.
Po çka janë korruptu shqiptarët, kush e mori pasurinë e shtetit 2 miliardë euro. Tërë shqiptarët janë të përjashtuar.
Vetëm e vetëm pse me dinjitet drejtonte Bashkimi Demokratik për Integrim, pa përulje, jo servil të dikujt, po na e marrin shtetin.
Cilin shtet po marrin?
Po marrim ne shtetin që e kemi la me gjak tonin, se të tjerëve nuk e duam.
Por atë që e kemi la ne vet me gjak, atë e marrim.
Kjo ju ka penguar dhe janë bërë të tërë bashkë, me soj e sorollos, politikanë dhe oligarkë, si ta varrosin Bashkimin Demokratik për Integrim.
Mos t’i shohin ato ëndrra, mos i shohin ato ëndrra, se edhe heronjtë nga varret ngriten në këmbë.
Vëllezër e motra,
E pash një ofertë të Kristijan Mickoskit për zgjedhje të parakohshme, aty për aty jemi përgjigj.
Nuk kanë shumë mençuri por si duket këtu treguan një hap të mençur.
Zgjidhja e vetme është Zgjedhjet e parakohshme.
Për t’u përmirësuar edhe ata sepse unë i kuptoj dolën 7 vjet e gjysëm bënë propagandë kundër BDI-së.
E realizuan një dëshirë të tyre, e vendosën në opozitë dhe krijuan një Qeveri pa legjitimitet etnik.
Por, si ne që shohim, edhe ata e shohin, bile ata e shohin vet nga brenda që kjo qeveri është jo-funksionale sepse nuk e ka legjitimitetin.
Këta tanët që kanë shku aty janë puthadorë, këta s’mund të ngrisin çështje. Edhe dëgjova që Kristijani ju thotë atyre se Ali Ahmeti më pret poshtë.
Dhe i kam thirrë të tërë të Frontit edhe kryesinë e Bashkimit Demokratik e ju kam thënë të dalim publikisht dhe t’ua themi troç sepse këta nuk e marrin vesh që ne nuk jemi të interesuar të hymë në Qeveri. Por sa më parë që këta e lëshojnë qeverinë, aq më mirë është për ta, për familjet e tyre, sepse kjo faqja e zezë për shqiptarët, historikisht neve e keqja na ka ardh prej tanëve dhe nuk është mirë. Dëgjova se kërkojnë nga unë që unë me noter të jap nënshkrim që një votë me i humb zgjedhjet, nuk do jem pjesë e Qeverisë.
Unë një çerek shekulli them, po i humba zgjedhjet shkoj te shpija.
Unë një marrëveshje nënshkrujta, i kanë hedh firmat të tërë.
I pari është Arben Taravari, i dyti jam unë sepse kanë kërkuar me alfabet, i treti është Afrim Gashi, i katërti Bilalli, i pesti është Izeti.
Të gjithë i kanë hedh firmat, po si t’ju besoj unë atyre kur ata s’i mbajnë llafet e thonë jo s’kemi nënshkrujt marrëveshje.
Ka dokument të shkruar, i kanë hedh firmat dhe thonë ne nuk kemi nënshkruar, si t’ju besoj unë atyre.
Ata të gjithë thanë që me i humb zgjedhjet do shkojmë te shpija, e asnjëri s’shkoi por i rrinin te dera Kristijanit.
Shteti ka nevojë për procese dhe proceset të ecin përpara.
Partnerë na kanë partitë politike maqedonase, e pranuar apo se pranuan. Në këtë shtet partitë janë të organizuar në baza etnike, shqiptarët votojnë për shqiptarët, maqedonët për maqedonët, dhe të reflektojnë që të gjithë, mos merren me politika arkaike të së kaluarës.
Të merremi seriozisht, vendin ta anëtarësojmë në BE, të prodhojmë marrëdhënie sa më të mira mes komunitetit shqiptar, maqedonas, nuk jemi shumë si tërësi 2 milionë banorë.
2 milionë banorë kokë më kokë njihemi, as nuk ju duhet bela atyre e as neve.
Ne na duhet vendin ta anëtarësojmë në BE. Ne nuk kontestojmë as histori e as gjuhë të bashkëqytetarëve tanë maqedonas, as kulturë.
Ne i mbështesim në identitetin e tyre, ne nuk jemi si të tjerët që ua kontestojmë historinë, biografinë, gjuhën, kulturën, ne i njohim.
Prandaj, çdo libër që mund të shkruhet, e që shkrun Sadulla Duraku, na marrin pleshtat neve.
Të nderuar,
Rrofshi e qofshi, falemnderit shumë për këtë takim.
Ali Ahmeti,
Kumanovë, 04.10.2024!