Musk planifikon të kalojë natën e zgjedhjeve me Trump: I ofron akses ekskluziv në X
Elon Musk planifikon të kalojë natën e zgjedhjeve me ish-Presidentin Donald J. Trump, duke i ofruar Trump akses ekskluziv në X në atë që mund të jetë një mbrëmje kaotike.
Sipas tre personave që kanë njohuri për orarin e tij, Musk planifikon të jetë te Mar-a-Lago për disa nga festimet e mbrëmjes në Palm Beach, Florida. Ai do të jetë pjesë e një grupi të vogël që do të shohin rezultatet së bashku me Z. Trump, sipas dy personave të njohur me planin, shkruan New York Times.
Trump do të organizojë disa festa me nivele të ndryshme ekskluziviteti, përfshirë një darkë për një numër të vogël donatorësh te Mar-a-Lago dhe një mbledhje edhe më të vogël për ata që do të qëndrojnë me të gjatë mbrëmjes. Më vonë gjatë mbrëmjes, Trump do t’i drejtohet një grupi më të madh, përfshirë edhe donatorë të tjerë, në Qendrën e Konventave të Palm Beach.
Ekipi i Trump-it dhe vetë Musk nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Musk do të bashkohet me mbrëmjen si një super-admirues i Trump-it. Ai ka shpenzuar të paktën 119 milionë dollarë për një komitet të veçantë për mbështetjen e Trump-it dhe ka organizuar evente në emër të tij në Pensilvani. Ai dhe Trump flasin disa herë në javë.
Por një nga përfitimet më të mëdha që Musk ka sjellë për ekipin e Trump-it është pronësia e tij e platformës X, faqja më parë e njohur si Twitter.