Buja thotë se nuk kanë pasur organe të hetuesisë ose gjykata në UÇK

06 nëntor 2024 | 14:18

Dëshmitari dhe ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Shukri Buja, ka deklaruar në Hagë se në rast që kanë ndodhur sjellje joadekuate të ushtarëve ndaj civilëve, nuk ka pasur organe të hetuesisë në UÇK ose gjykata për t’u marrë me çështje të tilla.

“Ndonjë masë disiplinore mund të jetë trajtuar, por për shkelje të tjera nuk kemi pas asnjë kompetencë si zonë operative e luftës. S’kemi pas mekanizma, s’ka pasur gjykatë, s’ka pasur hetuesi ose organe të drejtësisë. Unë e potencova atë rregulloren dhe nëse ka pasur shkelje disiplinore ne kemi mundur të marrim masa deri në atë shkallë sa ka qenë mundësia rregullative për me marrë masa si komandë e zonës”, ka thënë Buja.

Kjo deklaratë e ish-komandantit Buja ka ardhur pasi prokurori James Pace e ka pyetur atë se a e di nëse ndonjë ushtar i UÇK-së në Zonën e Nerodimes të jetë hetuar nga UÇK-ja për mënyrën se si ka trajtuar ndonjë civil, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“S’kemi pasur mekanizma për formë të tillë se bindja ime ka qenë që civilët të trajtohen në mënyrën më të mirë të mundshme. Duhet ta keni parasysh se ne në atë kohë kemi bërë luftë të ashpër për fitimin e simpatisë brenda popullit tonë për të krijuar simpatinë e faktorit ndërkombëtar dhe çdo veprim i yni në drejtim të civilëve që mund të krijonte përshtypjen e veprimit kriminal apo terrorist, na dëmtonte si UÇK. Hetimet për ndonjë ushtar kanë mund të ndodhen pas luftës, por unë e kam këtë bindje”, ka thënë Buja.

Më tutje, Buja është pyetur nëse UÇK-ja ka hetuar ose shqiptuar ndonjë dënim në raste të keqtrajtimeve që kanë mundur të ndodhin gjatë luftës. “Unë nuk besoj që kanë mundur të hetojnë sepse nuk ka pas mekanizëm për të hetuar…”, ka thënë Buja, duke përmendur se nuk kanë pasur gjykatë e as hetuesi.

Me kaq kanë përfunduar pyetjet e ZPS-së për Bujën, por kanë vazhduar diskutimet për pranimin e provave materiale. Shukri Buja për disa ditë më radhë ka dëshmuar në Gjykatën Speciale në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Administrative e Shqipërisë, ka marrë sot vendimin në lidhje…