Prishtina dhe Brukseli ende nuk e dinë datën për liberalizimin e vizave

10 tetor 2018 | 21:04

Institucionet e Republikës së  Kosovës ende nuk e dinë datën se kur kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen. Ndonëse ka shpresë që vendimi final i Këshillit të ministrave të BE-së të ndodh në fund të këtij viti, ndërsa  nga Bashkimi Evropian nuk flitet gjë rreth datave, ndërsa  institucionet e Kosovës tashmë kanë filluar një fazë të re të fushatës për liberalizim duke informuar qytetarët se çfarë në të vërtetë është liberalizimi dhe si do të mund të shfrytëzohet.

Në lansimin e kësaj fushate, kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, theksuan se ky proces nuk bën të keqpërdoret pasi ekziston mundësia që edhe pasi të merret sinjali për lëvizje të lirë – ai të pezullohet.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova dhe ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt. Ata u kërkuan politikanëve në vend që të mos flasin për data të cilat ende nuk i dinë por të vazhdojnë punën në sundimin e ligjit.

“Më lejoni të them shumë qartë, se akoma nuk kemi arritur në cak, vendimi përfundimtar akoma nuk është marrë, dhe tani varet nga Këshilli dhe vendet anëtare dhe nga Parlamenti Evropian që të vendosë për këtë propozim. Në këtë fazë, fatkeqësisht nuk mund të parashikojmë se kur do të mund të merret një vendim i tillë, prandaj duam të këshillojmë lidershipin e Kosovës që të ketë durim dhe të shmang ngritjen e pritjeve të mëdha me afate artificiale të cilat më vonë nuk do të përmbushen…Nëse ka abuzim sistematik të regjimit pa viza, apo ka përkeqësim të situatës, apo nuk përmbushen kërkesat, udhërrëfyesit, regjimi pa viza mund të pezullohet, do të ketë vlerësim të rregullt vjetor për përmbushjen e të gjitha kërkesave për liberalizim të vizave në dialogun pas heqjes së vizave”, tha Natalie Apostolova, shefe e zyrës së BE-së në Kosovë.

“Shtetet anëtare janë aktualisht duke analizuar progresin që ka arritur Kosova, pas rekomandimit të komisionit LIBE. Ju lutem të jeni të sigurt se ky do të jetë një vlerësim i drejtë, por i rreptë. Kërkoj durim për këtë proces i cili tani është duke ndodhur në kryeqytetet e vendeve të rajonit të Schengen, që të respektoni vlerësimin dhe vendimin autonom të secilës qeveri, të secilit shtet anëtar. Mendoj se është në interes të Republikës së Kosovës që ky vlerësim i detajuar të qojë në rezultatin që të gjithë shpresojmë ta kemi, që është udhëtim pa viza”, ka thë në  Christian Heldt, ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

Hapja e kësaj fushate ndërgjegjësuese nga të gjithë pjesëmarrësit u vlerësua si shumë e rëndësishme në këtë fazë dhe u tha se është bërë me kërkesë të shteteve anëtare të zonës Schengen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bylbyl Sokoli është shkarkuar nga detyra e kryetrajnerit të klubit…