Merkeli zotohet se do ta rifitojë besimin e gjermanëve
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë të hënën se humbja e madhe e aleatëve të saj konservatorë në rajonin e Bavarisë tregon se votuesit e kanë humbur besimin në qeveri dhe premtoi se do të luftojë për ta rifituar atë.
“Mësimi im nga kjo është se unë, si kancelare, duhet të siguroj rikthimin e besimit. Do të punoj për këtë me gjithë energjinë që kam”, ka thënë Merkeli në një ngjarje të përfaqësuesve të industrisë gjermane.
Komentet vijnë pasi partia simotër e Merkelit ka pësuar të dielën humbje të madhe në zgjedhjet shtetërore të Bavarisë, duke shkaktuar pasiguri në koalicionin qeverisës.
Me gati të gjitha votat e numëruara, Unioni i Krishterë Social ka humbur shumicën absolute në Parlamentin e Bavarisë, të cilën e ka që nga viti 1957.
Të Gjelbrit janë ngritur në vendin e dytë, ndërsa partia antiemigrante Alternativa për Gjermaninë do të futet për herë të parë në Parlamentin bavarez.
Sipas analistëve, shoqëria gjermane ka nisur të ndahet thellësisht që nga viti 2015, kur Merkel ka hapur dyert e Gjermanisë për mbi një milion emigrantë, kryesisht myslimanë nga Lindja e Mesme.