Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, mbetet figurë kryesore e identifikimit të popullit shqiptar

16 tetor 2018 | 14:11

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, mori pjesë në hapjen e punimeve të Konferencës shkencore ndërkombëtare “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”, e cila po mbahet në Prishtinë në kuadër të aktiviteteve “Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, 2018”.

Konferenca është organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutin e Historisë në Tiranë dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup dhe po mbahet në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen në gjithë hapësirën shqiptare.

Në këtë konferencë, përveç studiuesve dhe punonjësve shkencorë shqiptarë po marrin pjesë edhe punonjës shkencorë të Hungarisë, Anglisë dhe vendeve tjera të botës.

Ministri Bytyqi ka thënë se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare.

“Si figurë unifikuese, ai çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës, pra me atë osmane, për afër një gjysmë dekade, ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore që pengoi depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, ka thënë Bytyqi.

Ministri Bytyqi ka theksuar se Skënderbeu, për vite të tëra shërbeu si figurë pikënisëse e shumë proceseve të mëdha të popullit tonë dhe si i tillë, për shqiptarët e Kosovës, ai ishte shembulli me i mirë për vetëdijesimin e ndërgjegjes kombëtare.

“Ai, ishte udhërrëfyesi i jonë në momentet më të rëndësishme të ndërtimit të shtetit tonë, që nga vlimet e mëdha politike në fillimvitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, më pas gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri në ditët tona”, ka thënë ministri Bytyqi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paraqitjet e Valon Berishës me Përfaqësuesen e Kosovës i kanë…