KPMM-ja të kalojë nën kontrollin e Qeverisë

17 tetor 2018 | 12:47

Shqetësimi për klimën e të bërit biznes ishte arsyeja që Oda e Afarizmit të Kosovës e udhëhequr nga Skënder Krasniqi së bashku me përfaqësuesit e bizneseve kanë takuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Krasniqi ka theksuar disa nga shqetësimet e biznesit që ka identifikuar OAK-u, ku ndër të cilat problem shumë të madh paraqet edhe Ligji për Miniera dhe Minerale, i cili po paraqet pengesa të shumta për bizneset e këtij sektori, andaj sipas tij OAK-u propozon që KPMM-ja mos të jetë dikaster i veçantë nën Kuvendin e Kosovës, por të kalojë nën kontrollin e Qeverisë se Kosovës pasi që kështu do të trajtohet më mirë.

Gjithashtu gjatë këtij takimi theks iu vu edhe mungesës së ofertës se të bërit biznes, ku për dallim nga vendet e rajonit që disponojnë oferta për tërheqjen e investitorëve duke ofruar qoftë tokën, zbritje dhe pushime tatimore, andaj është shumë e rëndësishme që edhe Kosova të ketë një të tillë pasi që mungesa e saj rezulton edhe në numër më të vogël të investitorëve.

Çështje të tjera që u theksuan në këtë takim ishin edhe mungesa e takimeve të rregullta të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, mungesa e investimit dhe krijimit te produkteve strategjike të cilat do të jenë të konkurueshme në tregun ndërkombëtar, mungesa e zonave industriale të pajisura me infrastrukturë, këto të cilat ndikojnë negativisht dhe rezultojnë në ngecje të zhvillimit ekonomik.

Ministri Lluka ka falënderuar OAK-un për takimin dhe angazhimin që të vihen në pah të gjitha sfidat me të cilat përballen bizneset, duke theksuar se do të ofrojë përkrahje maksimale në çështjet të cilat janë në kompetencë të tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim…