Vazhdojnë kundërthëniet politike për Ligjin për automjete

17 tetor 2018 | 13:53

Komisioni parlamentar për Buxhet dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën  është diskutuar për Projektligjin për automjete.

Gjatë diskutimeve ka pasur kundërthënie nga anëtarët e këtij komisioni edhe pse ky projektligj është vlerësuar se nuk ka implikime buxhetore dhe se duhet të dërgohet ne seancë. Ndërkaq, me shumicë votash u  kundër lejimit të importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet.

Anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e LDK-së, Naser Osmani, ka thënë se Komisioni për Zhvillim Ekonomik,  nuk e ka trajtuar si duhet këtë Projektligjin për automjete. Ai ka thënë se duhet të amendamentohet neni 1 i këtij projektligji, ku parasheh zgjatjen e vjetërsisë së importit të veturave nga 10 vite në 15 vite.

“Komisioni për Zhvillim Ekonomik nuk e ka trajtuar si duhet këtë ligj. Nuk po përqendrohem vetëm tek ndotja e ambientit, por kjo verë ka qenë e përgjakshme në rrugët tona dhe e ka keqësuar edhe më shumë se duhet gjendjen. Ne duhet ta kundërshtojmë nenin 1, konkretisht  pikën 2 të këtij neni”, ka deklaruar ai.

Po ashtu kundër këtij neni ishte dhe deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, i cili ka thënë se duhet të bëhet presion që mos të kaloj ky ligj me këtë nen, pasi sipas tij është në kundërshtim me direktivat e BE-së.

“Logjika e idesë së kufizimeve nuk qëndron. Kemi reagime nga ambasadat dhe shpesh kam votuar kundër tyre. Por në rastin konkret besoj kam të drejt”, është shprehur ai.

Ndërsa, pro Projektligjit për automjete  ka qenë deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku. Ai ka thënë se duhet të kihet parasysh gjendja socio-ekonomike e qytetarëve të Kosovës.

“Kjo nuk është në kundërshtim me direktivat e BE-së. Në komision nuk është aprovuar. Qëllimi im ka qenë aspekti socio-ekomomik. Është për keqardhje se si një parti e majtë se mbështet këtë projektligj”, ka deklaruar Lushtaku, duke iu referuar kundërshtimit të Molliqajt.

Deputetja Safete Haderxhonaj ka shprehur shqetësimin e saj për akcizën e lartë për import të veturave. Ajo ka kërkuar një kontroll me të mirë për veturat, sepse sipas saj, ka automjete të reja dhe ndodhë që nuk janë në rregull, ndërsa ndodhë që ka vetura më të vjetër se dhjetë vjet dhe është në rregull, i plotëson kushtet ambientale.

Po ashtu edhe deputeti Blerim Kuçi ka përkrahur iniciativën për importimin e veturave më të vjetra sa dhjetë vjet.

Kryetari i Komisionit, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nëse është qëllimi që t’i ndihmohet qytetarëve, të rekomandohet që të ulet kostoja e importit të veturave, ndërsa të mos përkrahet importi i veturave më të vjetra se dhjetë vjet.

/Epoka e re/ A.Mavraj/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi është shpallur lojtari i muajit…