Mushkolaj: Kosova rrezikon të mbetet peng i shumë proceseve për shkak të kësaj klase politike të papërgjegjshme

18 tetor 2018 | 11:57

Njohësi i rrethanave politike, Imer Mushkolaj, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se çështja e ushtrisë, liberalizimit dhe Interpolit është dashur të përfundojë shumë më herët.

Ai ka thënë se pikërisht këta liderë janë përgjegjës pse nuk janë kryer as Interpoli, as liberalizimi dhe as ushtria.

“Natyrisht se nuk kemi arsye për t’u entuziazmuar nëse do të përfundohen këto tri çështje. Por, edhe nëse ndodh anëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe formimi i ushtrisë, unë nuk besoj se do të ndodhë liberalizimi, aq më tepër pas shprehjes së skepticizmit të këtyre liderëve se gjithçka mund të përfundojë brenda këtij viti. Kështu që, në rastin më të mirë mund të merret vendim brenda dhjetorit, por jo edhe për të lëvizur lirshëm brenda këtij viti. Në rastin më të keq liberalizimi i vizave mund të shtyhet deri në vitin 2020”, ka deklaruar Mushkolaj, duke shtuar se është një situatë e paqartë dhe nuk është e vërtetë se janë përmbushur të gjitha kriteret. “Ne i kemi përmbushur kriteret teknike, por ka edhe kritere të tjera që janë raste të shënjestruara për liberalizim që, fatkeqësisht, nuk janë përfunduar. Pastaj ndërhyrjet e fundit në sistemin e drejtësisë si dhe rasti i gylenistëve ndikojnë në liberalizimin. Me më rrezik e shoh liberalizimin sesa ushtrinë dhe Interpolin”, ka theksuar ai.

Mushkolaj ka vlerësuar se Kosova po rrezikon të mbetet peng i shumë proceseve për shkak të kësaj klase politike të papërgjegjshme.

“Absolutisht po për shkak se këto procese janë të ndërlidhura dhe nuk mund të shihen vetëm si teknike siç po përpiqen të na prezantojnë pushtetarët qoftë liberalizimin, qoftë çështjet e tjera. Ato janë të ndërlidhura dhe nuk mund të flasim për liberalizim pa folur për sundim të ligjit. Pikërisht kjo na ka sjellë në këtë situatë që të jemi viktima të papërgjegjësisë së klasës politike për të tria këto tema për të cilat po bisedojmë janë këtu ku janë për shkak të papërgjegjësisë së klasës politike dhe jo për diçka tjetër”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbolli nga viti në vit po vjen në rritje dhe…