Periudha tranzitore pas Brexitit mund të zgjatet

18 tetor 2018 | 13:28

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka dhënë shenja të enjten se ajo do të konsiderojë zgjatjen e të ashtuquajturës periudhë tranzitore pas largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian, transmeton “Reuters”.

Kritikët e saj në anën tjetër e kanë konsideruar këtë deklaratë si tradhti ndaj Brexitit.

Në më pak se gjashtë muaj para se Britania të largohet nga blloku evropian, bisedimet për Brexit kanë ngecur rreth marrëveshjes për kufirin në mes të provincës britanike, Irlanda Veriore dhe Irlandës.

Në një samit të BE-së të mbajtur në Bruksel, disa liderë dhe diplomatë kanë thënë se May nuk ka ofruar asgjë të re, ashtu që të arrihet ndonjë pikë kthese dhe procesi të vazhdojë në fazat tjera, raporton “Rel”.

Të dyja palët janë duke synuar që të anashkalojnë krijimin e një kufiri të ashpër irlandez, sepse një gjë e tillë do të ndikonte në tregtinë e të dyja shteteve.

“Një tjetër ide që ka lindur përfshin mundësinë e zgjatjes së periudhës së zbatimit të Brexitit për disa muaj, pra do të jetë vetëm periudhë disamujore”, ka thënë May para gazetarëve në ditën e dytë të samitit.

“Mirëpo ne synojmë që të mos shfrytëzojmë këtë mundësi sepse jemi duke punuar që të kemi një marrëdhënie bashkëpunuese deri në fund të dhjetorit të vitit 2020”, është shprehur ajo.

May pati tentuar që në samitin e mbajtur në Bruksel në muaj të parë, të paraqesë një ton më të butë para homologëve të saj britanikë, mirëpo ky takim nuk ka rezultuar me sukses.

Mirëpo këtë javë, May u ka bërë thirrje liderëve evropianë të punojnë së bashku.

“Ne kemi treguar se mund të arrijmë së bashku marrëveshje konstruktive. Unë vazhdoj të jem e bindur për një rezultat të mirë” është cituar të ketë thënë May sipas një zyrtari britanik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lahi Brahimaj, ka falënderuar deputetët…