Miratohet Ligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

18 tetor 2018 | 18:11

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Në favor të këtij projektligji kanë votuar 84 deputetë të Kuvendit.

Pas votimit të këtij projektligjit ka pasur një debat në mes të deputetëve, konkretisht në mes të deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu dhe shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ku ky i fundit ka kërkuar nga Musliu që të kërkojë falje për deklaratat e saj, e cila kishte krahasuar Vetëvendosjen me Listën Serbe.

Por, deputetja Musliu nuk është tërhequr nga deklaratat e saj. Ajo ka thënë se është turp për ata deputetë që kanë qëndruar në hollë apo zyre të Kuvendit dhe nuk janë futur në sallë për të votuar Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Përveç kësaj, ajo ka thënë se është turp që 20 vjet pas luftës partitë që qeverisin me Prishtinën nuk kanë gjetur një vend të dinjitetshëm në kryeqytet për shtatoren e komandantit legjendar Adem Jashari.

Në këtë debat janë përfshirë edhe deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj dhe deputetja e Nismës, Albulena Balaj-Halimaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj edhe pse kishte marrë ftesë…