Samiti më i shkurtër i të gjitha kohërave në BE

19 tetor 2018 | 14:22

Barbara Wesel

Në raundin e fundit të Brexit bisedimet e krerëve të BE me kryeministren May nuk shënuan asnjë progres. Me sa duket dështon ajo që i ka premisat të dështojë. BE ende tregohet optimiste, por asgjë nuk është e sigurt.

 Ishte pra samiti më i shkurtër i të gjitha kohërave. U zhvilluan takime, pati një darkë të përbashkët dhe pastaj secili shkoi në punë të vet. Në këto orë gati nuk ndodhi asgjë. Kryeministrja britanike, Theresa May nuk paraqiti asgjë të re, sepse ajo është personi i fundit që e ka një zgjidhje në xhep për këtë situatë të koklavitur. Megjithëse topi thuhet se është në anën e britanikëve, sepse evropianët në javët e fundit e kanë zbutur pozicionin e tyre për një kufi të fortë në ishull aq sa nuk mund të njihet më.

 Drama është pjesë e lojës

 Në fakt koreografia e negociatave të tilla ndërkombëtare dihet. Në fillim shënohet progres dhe partnerët paraqiten të gatshëm për lëshime. Pastaj bëhet fjalë për detaje dhe palët kapen me njëra-tjetrën. Pas kësaj vjen faza e përdorimit të parimeve, dhe në fund zjarri nën kazan duket se nxeh kaq shumë saqë palët të detyrohen që në minutën e fundit të arrijnë një ujdi. BE ka shumë përvoja me një gjë të tillë.

Në samitin e Brukselit të mërkurën u prezantua një menaxhim i pritshmërive. Kaq shumë shpresë, vendosmëri, dhe vullnet për ujdi ka pasur rrallë. Sikur po vepronte një magjistar Voodoo. Madje edhe presidenti francez, Emmanuel Macron që njihet si i ashpër kundrejt britanikëve, mendonte se suksesi ishte shumë pranë.

Në Britaninë  e Madhe arsyeja është vënë në gjumë

Ndërkohë kundërshtarët e një ujdie të mirë për Brexit po kërcejnë nga tryeza në tryeza në Britaninë e Madhe. Përfaqësuesit e vijës së ashpër duan të dalin brenda natës nga BE, pa asnjë detyrim, pa asnjë pagesë përfundimtare. Ata mezi presin të lirohen nga prangat e aleancës së urryer. Ndërsa përfaqësuesit më të moderuar janë të zhgënjyer nga sukseset e negociatave të Theresa Mayt. Miqtë e Evropës duan ta ndalin karrocën që po merr të tatëpjetën dhe kërkojnë një referendum të dytë. Unionistët irlandezoveriorë betohen, se ata do të bllokojnë gjithçka, skocezët kërcënojnë me dorëheqje, opozita do zgjedhje të reja, dhe mundësia e Theresa Mayt për të lëvizur në ndonjë krah është 0-centimetër.

Shansi i vetëm i evropianëve në këtë kaos është të kufizojnë sa të munden këmbënguljen e paarsyeshme në parime. Nëse partia unioniste, DUP partia që i siguron shumicën Theresa Mayt në parlament vë në lojë parimet e shenjta të unionit Britani e Madhe, atëherë ka për të dështuar çdo lloj zgjidhje. Ose May do t’ia dalë t’i zbusë pozicionet e tyre, ose duhet përdorur më shumë presion.

Fundi çlirues është shumë larg

 “Me qetësi dhe durim” – tha kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier në fund të samitit – kështu do t`i vazhdojë ai negociatat. Evropianët vërtet duhet të vazhdojnë kështu pa ndryshuar qëndrim me britanikët, derisa paniku në rritje të detyrojë palën tjetër të marrë kthesën. Kjo mund të ndodhë në dhjetor. BE duhet të shfrytëzojë deri në fund hapësirën e saj të veprimit në çështjen e Irlandës së Veriut. Edhe për atë që në fund të mos duhet ta pyesë veten, nëse i shfrytëzoi të gjitha hapësirat e mundshme.

Megjithatë nuk dihet nëse strategjitë e njohura do të funksionojnë deri në fund. Kryeministrja britanike, Theresa May është e dobët në pozicionin e saj në vend dhe mund të bëhet viktimë në partinë e saj. Gjendja politike në Londër është e paparashikueshme dhe e paqartë, dhe është tërësisht e pasigurt  nëse mund të ketë një mazhorancë në parlament për marrëveshjen finale. Arma më e fortë e evropianëve në këtë rast është uniteti i fortë brenda tyre. Krerët e qeverive e njohin ligjin e Murphy-t -në fund – si në përralla të gjithë janë të lumtur./dw/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania “Apple” ka ftuar mediet për një aktivitet që do…