Procesi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, i vonuar

22 tetor 2018 | 11:09

Procesi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, që tashmë ka nisur në disa shkolla të vendit është pritur mirë nga udhëheqësit e shkollave, ndërkohë ekspertët thonë se është një proces i vonuar.

Sindikata e Arsimit do ta mbështesë këtë proces, nëse nuk testohen njohuritë e mësimdhënësve, por vetëm performanca e tyre. Nga rezultati i vlerësimit, mësimdhënësi mund të avancohet në karrierë, do t’i përtërihet licenca ose do t’i jepet një vit shtesë për zhvillim profesional.

Ministria e Arsimit gjatë këtij muaji filloi procesin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve. Por, ekspertët thonë se ky proces është shumë i vonuar. Njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radio Kosovën se kjo është paraparë me Ligjin për Arsimin Parauniversitar të miratuar në vitin 2011. “Përmes vlerësimit të përformancës do të bëhet dallimi në mes të mësimdhënësve që angazhohen sa duhet në procesin mësimor dhe asaj kategorie tjetër”, tha Pupovci.

“Mendoj që ndërlidhja e vlerësimit të performancës dhe licencimit, i cili vjen pas tij me pagat e mësimdhënësve, do të jetë diçka shumë motivuese se sa këto rritjet e pagave që po bëhen vitet e fundit në mënyrë lineare dhe kryesisht në kohën e fushatave zgjedhore”, ka thënë Pupovci.

Në këtë proces fillimisht janë përfshirë 217 mësimdhënës nga disa komuna të vendit. Një nga shkollat e përzgjedhura është “Faik Konica” në Prishtinë, ku drejtoresha Gjylie Bala tha se kanë pranuar të gjitha udhëzimet nga inspektorati i arsimit dhe kanë filluar plotësimin e formularëve për pesë mësimdhënësit e parë. Edhe pse nga mësimdhënësit është pritur me pak stres ky vlerësim, drejtoresha Bala tha se megjithatë këtë vlerësim e shohin si një ngritje profesionale.

“E shoh se mësimdhënësit fillimisht kanë qenë pak të stresuar, por në komunikim së bashku me inspektorët, janë relaksuar dhe e kanë parë që kjo është një mburrje për ato, sepse ri-licencohen dhe në të ardhmen pritet avancimi i tyre”, ka thënë Bala.

 

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se e kanë mirëpritur këtë proces dhe do ta mbështesin, por nuk do të lejojnë që të testohen njohuritë e mësimdhënësve.

“Mësimdhënësit nuk janë kundër vizitave që do të bëjnë inspektorët profesionalë nëpër shkolla, nuk janë as kundër vlerësimit që do të bëjë drejtori i institucioneve ku punojnë. Por, ishim dhe mbetemi kundër ndonjë testi me shkrim të njohurive. Mësimdhënësit dhe SBASHK-u, nuk janë kundër vlerësimit të performancës”, ka thënë Jasharaj.

Në fillim të këtij muaji, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, bëri të ditur se ka filluar procesi i vlerësimit të mësimdhënësve, ku janë të angazhuar inspektorët e arsimit, të cilët janë të trajnuar për këtë proces. Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është vlerësim i kombinuar, i përbërë nga vlerësimi i brendshëm, që bëhet nga mësimdhënësi dhe nga drejtori i shkollës, vlerësimi i jashtëm nga inspektorët e arsimit dhe vëzhgimi i orës mësimore, planifikimi dhe përgatitja me shkrim.

Nga rezultati i vlerësimit të performancës mësimdhënësi pritet të avancohet në karrierë, do t’i përtërihet licenca ose do t’i jepet një vit shtesë për zhvillim profesional. Për ata që nuk tregojnë përformancë të mirë, do t’u jepet edhe një mundësi pas një viti, ndërkaq, mund t’ju rrezikohet ri-licencimi, nëse përsëri nuk tregojnë sukses.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri amerikan Deontay Wilder, kampion bote në peshën e rëndë…