Presidenti i Liberisë, George Weah heq tarifat e shkollimit për studentët

25 tetor 2018 | 14:58

Presidenti i Liberisë, George Weah, i cili arriti të tejkalonte varfërinë ekstreme në fëmijëri për t’u bërë një prej futbollistëve më të zëshëm të botës, duke luajtur me PSG-në dhe Milanin, ka hequr tarifat e shkollimit për studentët në universitetet e një prej vendeve më të varfra të Afrikës Perëndimore.

Duke folur nga kampusi i Universitetit të Liberisë, në emër të “popullit liberian dhe qeverisë”, Weah ka deklaruar “shkollim falas për të gjithë studentët” në universitetet publike.

Weah ka thënë se vendimi i tij ishte marrë pas një takimi që kishte pasur me administratën e universitetit.

“Studentët erdhën para zyrës sime për t’u ankuar se administratorët kishin rritur tarifat e shkollimit. Sigurisht që nuk mund të ndihesha rehat me këtë”, ka deklaruar Weah, i cili është zgjedhur president në muajin janar.

Një administrator e informoi atë se, tarifat aktuale nuk kishin ndryshuar, por rënia e dollarit liberian kundrejt dollarit amerikan kishte çuar në rritjen e sasisë së parave që duheshin paguar në monedhën vendase. Të dyja valutat janë të ligjshme në Liberi, një shtet i themeluar nga ish-skllevër të liruar amerikanë.

“U trondita kur m’u tha se, çdo semestër, rreth 20 mijë maturantë i nënshtroheshin procesit të regjistrimit, por vetëm 12 mijë arrinin të ndiqnin studimet e larta. Për më tepër, rreth 5.000 nga këta 12 mijë studentët, varen nga forma të ndryshme ndihmash financiare apo bursa. Pjesa tjetër e maturantëve nuk studiojnë sepse iu mungon përkrahja financiare”, ka deklaruar Weah./tch/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kolegji UBT ka krijuar Institutin e Gjuhëve të Huaja në…