A dështuan institucionet ta mbronin studentin nga hedhja prej konviktit në Prishtinë
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ende nuk ka thënë asnjë fjalë rreth rastit. Po ashtu, ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ende nuk ka njoftuar kush po e heton rastin dhe a do të ketë përgjegjës për vdekjen e të riut.
Dje rreth orës 17:20 një i ri, që po karantinohej në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, u hodh nga kati i pestë i njërit prej konvikteve. I riu ishte Agon Musliu, 26 vjeçar nga Gjilani, që nuk arriti të mbesë gjallë pas lëndimeve.
“Më datë 03.05.2020, rreth orës 17:20, ekipet e emergjencës dhe Policia kanë shkuar te qendra e studenteve dhe një person është përcjell me autoambulancë në drejtim të klinikes emergjente. Njësitet e policisë dhe forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas procedurave hetimore do të sqarohen rrethanat tjera”, lajmi u konfirmua fillimisht për lajmi.net nga Daut Hoxhës, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Ndërsa sipas Gëzim Mustafës, mjekut kujdestar në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike dhe Universitare të QKUK-së, 26-vjeçari ishte sjellë në Emergjencë pa shenja jete dhe, sipas tij, gjasat janë shumë të mëdha që ai ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve vdekjeprurëse që ka pasur.
“Rreth orës 17:30 në Qendrën Emergjente është sjellë me urgjencë një pacient i ri i moshës 26-vjeçare, pa shenja jete. Faktikisht sipas asaj që ne kemi vlerësuar pacienti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e lëndimeve që ka pasur, të rënda vdekjeprurëse. Në pranim pacienti ka qenë pa shenja jete me gjakderdhje nga veshët, hunda dhe goja. Prej lëndimeve të dukshme që ne i kemi parë kanë qenë këto mirëpo, shkaktarin definitiv të vdekjes fjalën e ka ekspertiza mjeko-ligjore prej të cilëve ne edhe kemi kërkuar ekspertizën e tyre. Sipas të gjitha gjasave pacienti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes dhe ka ardhur këtu pa shenja jete dhe vdekja e tij është konfirmuar rreth orës 17:45”, ka thënë Mustafa.
Nga ana tjetër, sipas një dëshmitari, 26-vjeçari dje ishte kthyer nga Gjermania dhe kishte kërkuar që të mos vendosej në karantinë te Qendra e Studentëve pasi që kishte probleme shëndetësore ku edhe i kishte prezantuar dokumentacionet, por që ai përsëri ishte vendosur aty.
Lidhur me rastin pati reagime të shumta. I pari ishte kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili kërkoi hetim për këtë vdekje tragjike dhe që sa më shpejt të zbardhen detajet e vdekjes së 26-vjeçarit.
“Me keqardhje dhe pikëllim morëm vesh për lajmin e rëndë të vdekjes tragjike të një qytetari të Kosovës nga Gjilani në Qendrën e Studentëve të shndërruar në karantinë në këtë kohë të pandemisë së COVID-19”, thekson kryeministri në detyrë, Kurti.
Sidoqoftë, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ende nuk ka thënë asnjë fjalë rreth rastit. Po ashtu, ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ende nuk ka bërë të ditur se kush po heton rastin dhe a do të ketë përgjegjës për vdekjen e të riut.
Lidhur me rastin kanë reaguar instancat më të larta shtetërore, të cilat kanë kërkuar që organet e drejtësisë të merren me zbardhjen e rastit
Ishte kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, dha detaje shtesë lidhur me rastin që vinte nga qyteti i tij. Ai tha se Agron Musliu ishte një student i shkëlqyer i masterit në Gjermani. “U trondita me lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të 26-vjeҫarit, Agon Musliu, i cili ishte stundet i shkëlqyer i masterit, në Gjermani. Humbje e madhe për familjen e për Gjilanin. Komuna e Gjilanit do t’i qëndrojë afër familjes. Zoti ua lehtësoftë dhembjen!”, shkroi ai në FB.
Ministria e Shëndetësisë shprehu keqardhjen e thellë për vdekjen tragjike të 26-vjeçarit nga Gjilani në Qendrën e Studentëve në Prishtinë dhe i shprehi familjes së të ndjerit ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e familjarit të tyre.
“Organet e hetuesisë janë duke u marrë me sqarimin e rrethanave të vdekjes”, thuhej në reagimin e MSh-së drejtuar mediave.
Por, më pas, reagimet ndryshuan kah. Përveç që u kërkua që rasti të zbardhej nga organet e drejtësisë, u fajësua edhe qeveria në detyrë që nuk arriti të menaxhojë mirë situatën.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet “Facebook”-ut ka reaguar duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe zbardhje sa më të shpejtë të rastit.
“Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor”, shkroi Thaçi.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kërkuar hetim dhe përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse. Veseli ka thënë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit, andaj ai tha se është e domosdoshme që organet e drejtësisë t’i nisin menjëherë hetimet.
“Humbja tragjike e jetës së këtij të riu është një akt i rëndë dhe që mbart përgjegjësi shtetërore, duke qenë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit. Andaj, është e domosdoshme që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimet”, u shpreh kreu i PDK-së.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që sa më parë të zbardhen rrethanat e vdekjes së të riut nga Gjilani. Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të ishin më vigjilente që tragjedi të tilla nga pakujdesia dhe indiferenca të mos ndodhin.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka shprehur ngushëllime në drejtim të familjes së të riut që humbi jetën në rrethana tragjike te Qendra e Studentëve.
Behgjet Pacolli tha se duhet dhënë përgjegjësi udhëheqësit e institucioneve përkatëse, të cilët në mënyrë të detyrueshme e kanë mbajtur të riun në karantinë.
“Duhet dhënë përgjegjësi udhëheqësit e institucioneve përkatëse, të cilë në mënyrë të detyrueshme e kanë mbajtur të riun në karantinë. U prehtë në paqe bashkë-qytetari ynë, të cilin shteti i tij nuk qe në gjendje ti ofrojë kujdes”, tha Pacolli.
Ka pasur edhe reagime të tjera të shumta nga opozita e pozita lidhur me rastin në fjalë duke kërkuar që institucionet duhet të përgjigjen për këtë rast e ministri të japë dorëheqje.
Por se a dështuan institucionet e Kosovës ta menaxhonin situatën në Qendrën e Studentëve kjo gjë pritet të zbardhet ditëve në vazhdim. Mirëpo, rezultati tregon se kemi një të ri që nuk jeton më e që, sipas dëshmitarëve, i riu kishte probleme me depresionin.
“Kam ardhë me këtë djalin që vdiq. Ai ka pas depresion të madh. I ka pas krejt dokumentat nga Gjermania, e ka pas udhëzimin që është dasht mos mu izolu, por me u vetëkarantinu në shtëpinë e vet.
Prej se ka ardhë ka qenë në gjendje depresive, ka kërku ndihmë mjekësore dhe me u liru prej konviktit, por askush s’e ka marrë parasysh situatën e tij. Mjekët as që kanë ardhë me vizitu”, ka treguar ai, duke mos pranuar të flasë me emër për shkak se mendon se dikush mund t’i hakmerret për këtë.
Ndryshe, Qendra e Studentëve përdoret si karantinë për personat që futen në Kosovë nga shtetet e jashtme. Ata duhet të qëndrojnë aty për dy javë dhe më pas testohen nëse janë pozitivë me virusin Covid-19. Kjo ishte vënë si masë në fillim të përhapjes së virusit në Kosovë për shkak të numrit të madh të atyre që futeshin nga shtetet e tjera në Kosovë dhe rrezikut që virusi të përhapej.