A do krijohet një grup i përbashkët mes Berishës dhe Bardhit, kundër Bashës?
Me ardhjen e shtatorit siç duket ka pasur “ftillime” brenda kampit opozitar.
Sali Berisha dhe Gazment Bardhi po negociojnë që të bashkohen grupimet që ata përfaqësojnë në një grup parlamentar.
Lajmi u bë i ditur nga vetë ish-kryeministri Berisha në konferencën e përjavshme për mediat. Ai pohoi se bashkëpunon me çdokënd përveç kryedemorkatit Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.
“Me zotin Bardhi dhe çdo deputet tjetër, përveç Alibashës dhe Lul Pengut, kjo parti është dhe do jetë e hapur për diskutim. Dhe nuk ka kush pse të ma dijë për nder se është partia e demokratëve”.
Ndërsa, nga ana tjetër, Bardhi pa e prekur si pikë bashkimin me Berisën, gjatë ditës sotme tha se kërkon unifikim të të gjithë deputetëve të dalë në 2022-in nga listat e Partisë Demokratike.
“Të ulemi të gjithë në një sallë sepse regjimi kërkon të luftohet të bashkua”.
Gjithashtu Berisha ka komentuar edhe Kuvendin që do të mbahet nesër nga kryedemokrati Lulzim Basha.
Berisha tha se Basha e mbledh Kuvendin si peng i kryeministrit Edi Rama.
“Se çfarë përfaqëson Basha është bërë e qartë për çdo qytetar shqiptar, përfaqëson një peng të Ramës me qëllime të caktuara, por pozitivja është që nuk ka shqiptar që nuk e ka kuptuar që ai është pengu i Ramës. Ai dhe një grup i vogël që e ndjekin janë të zbrazur nga çdo lloj integriteti moral, politik. Pengu përfaqëson mjeranin”.
Gjithashtu nuk munguan akuzat e drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Rama.
Sipas Berishës, kryetari i zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri po mbahet si i “burgosur politik” nga kreu i qeverisë Edi Rama.
“Nuk u prit në Athinë, sepse samiti ishte për një deklaratë historike, që përbën dokumentin legal të perspektivës evropiane të vendeve të rajonit. Ky shkelmon vlerat evropiane, mban në burg Fredi Belerin, si të burgosur politik, që të skadojë afati 90 ditor dhe të mos betohet. Të besosh nacionalizmin e Edi Ramës është si të besosh turpin”, tha Berisha.
Ndër të tjera, ai foli dhe për sesionin e ri parlamentar,
Ai theksoi se do të startojë me sesionin e betejave “më të fuqishme kundër këtij regjimi të damkosur në shkallë maksimale, në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar”.
“Është tmerrësisht e vështirë ulja në atë sallë, por detyrime më supreme ndaj zgjedhësve tanë, na detyrojnë ne që jo vetëm që të ulemi, por të shumëfishojmë përkushtimin tonë, të shumëfishojmë alternativën tonë për qytetarët shqiptarë dhe denoncimet në të gjitha drejtimet të këtij regjimi që kryesohet nga një njeri, sot më i diskredituari në Ballkan dhe Evropë, pas Putinit dhe Lukashenkos”.