A do ta nënshkruaj presidenti Thaçi Ligjin për paga?
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pritet t’ia kthej Ligjin për pagat sërish Kuvendit për rishqyrtim.
Këtë vendim, ai pritet ta marrë së shpejti, pas pranimit zyrtarisht të këtij ligji nga ana e Kuvendit të Kosovës.
I kontaktuar nga “lajmi.net”, mundësinë e rikthimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Pagat e ka konfirmuar edhe këshilltari i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj.
“Për shkak të ankesave të pranuara, kërkesave të sindikatave dhe të shoqatave profesionale, të OJQ-ve, por edhe të shoqatave të veteranëve, presidenti po e shqyrton seriozisht mundësinë që të mos e ratifikojë Ligjin për Pagat dhe t’ia kthej Kuvendit për rishqyrtim”, ka thënë Arifaj.
Kundër projektligjit të ri për pagat kanë reaguar edhe Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, Sindikata e Administratës Publike të Kosovës, “Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu Sh.A.” – KOSTT, Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe të tjera.