A do ta përfshijë AAK-ja në listë Donika Kadaj-Bujupin? Flet Shkumbin Demaliaj
Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shkumbin Demaliaj, ka folur rreth përgatitjeve që po bën kjo parti për zgjedhjet e ardhshme. Sipas Demaliajt, AAK do të jetë befasia më e mirë e këtyre zgjedhjeve.
I pyetur nëse do të bëjnë koalicion parazgjedhor, ai ka thënë se s’kanë vija të kuqe më asnjë subjekt, por se më parë do të garojnë të vetëm.
“Ne nuk kemi vija të kuqe me asnjë subjekt politik dhe të shohim se si do të garojmë. Ende nuk kemi ndonjë marrëveshje me ndonjë subjekt politik, por më parë AAK do të garojë e vetme në zgjedhje”, ka thënë Demaliaj.
E për atë se a do të jetë Donika Kadaj-Bujupi pjesë e listës zgjedhore duke marrë parasysh përplasjet e fundit që ka pasur me partinë, Demaliaj ka thënë se për këtë do të vendos Kryesia dhe Këshilli Drejtues.
“Për listën zgjedhore vendosë Kryesia dhe Këshilli Drejtues i AAK-së. Është çështje e znj. Kadaj-Bujupi të vendosë për rikandidimin e saj dhe atë kandidaturë ta vendosë para organeve të partisë. Njësoj vlen edhe për mua”, ka deklaruar Demaliaj.
Ai ka folur edhe për sondazhet e fundit, sipas të cilave sondazhin e fundit të publikuar nga Vetëvendosja, që e nxjerr këtë parti me 55 deputetë, ndërkaq Aleancën me 8.
“Për sondazhe partiake dhe individuale të ndonjë subjekti nuk ia vlen të komentohet. Por e vërteta e gjithë kësaj është se AAK-ja do të jetë befasia më e mirë e këtyre zgjedhjeve me arritjet e saj”, ka thënë Demaliaj.