A do ta përkrah BE-ja idenë e shkëmbimit të territoreve?
Bashkimi Evropian (BE) nuk i ka ndryshuar politikat që mbështesin integritetin territorial të Kosovës. Kështu ka thënë Michael Leigh, ekspert për politikat evropiane.
Ai ka thënë për “Deutsche Welle” se është e pamundur që BE-ja të jetë pro ndryshimeve territoriale
“Do të ishte e gati e pamundur në Bashkimin Evropian të gjendej një konsensus në favor të ndryshimit të status quo-s territoriale midis Serbisë dhe Kosovës. Ideja e njohjes së Kosovës në këmbim të përkatësisë territoriale nuk ka gjasa të përkrahet nga serbët dhe kosovarët ose të përkrahet nga pesë vendet anëtare të BE-së, që kanë refuzuar të njohin pavarësinë e Kosovës. Ndarja bazohet në kërkim të puritetit etnik dhe jo nevojës për të jetuar së bashku në një shoqëri multietnike. Kjo mënyrë për arritjen e gjërave ka pasur një histori tragjike në Ballkan dhe nuk përputhet me principet e BE-së. Shtetet anëtare do të jenë shumë vigjilente sa i përket rritjes së presioneve nga jashtë, duke pasur parasysh rolin në rritje të Rusisë dhe Kinës në Ballkan”, ka thënë ai.