A do ta takojë Rama pensionistin që ndihmoi Shqipërinë në kohën e tërmetit?

29 qershor 2020 | 11:51

Kryeministri i Shqipërisë,  Edi Rama, sot do të nis një vizitë dyditore në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite, ai do t’i takojë  gjithë liderët politikë të Kosovës. Kësaj radhe, takim me kryeministrin shqiptar pret edhe Shaqir H. Shaqiri,  i moshuari që para disa muajve ndau 10 euro nga pensioni i vet për ta ndihmuar Shqipërinë e cila ishte goditur nga tërmeti.

Shaqir H. Shaqiri është nga Medvegja, por që nga viti 1980 jeton dhe krijon në Prishtinë.  Ndonëse në pamje të parë duket si një pensionist i zakonshëm, ai nuk është i tillë. Shaqir H. Shaqiri ka shkruar disa libra dhe botuar dhjetëra poezi. Ai njihet edhe me pseudonimin “Kalaja”.

Veprimi human i Shaqirit kishte prekur edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama i cili kishte shpërndarë videon e tij duke e quajtur hero.

Rama kishte premtuar se do ta takojë nga afër të moshuarin që u bë motivim për të gjithë.

Ditë më parë, në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, Shaqiri kishte thënë se e pret takimin me Ramën.

“Unë jam pensionist dhe jam i sëmurë nga sheqeri. Kur tërmeti goditi Shqipërinë ndjeva dhimbje të madhe. Populli i Kosovës filloi të grumbullojë ndihma. Atë ditë kisha marrë pensionin dhe ndjeva obligim ta ndihmoj Shqipërinë me 10 euro. Zemra më kushtonte të jap më shumë, por ato para i kisha, sepse paratë e tjera të pensionit i kish harxhuar për barna dhe gjëra tjetër personale”, ka thënë ai.

Sikurse në videon që bëri xhiro në rrjete sociale në mbarë hapësirat shqiptare, edhe në këtë rrëfimemocionohej, ai disa herë ka shprehur dashurinë për Shqipërinë. “Ato para që kisha i dhashë sepse Shqipërinë e dua shumë. Kur flas për Shqipërinëemocionohem shumë. Madje e kam shkruar një ditar për Shqipërinë sepse gjatë luftës për tre muaj atje kam qenë refugjat me familje, në rrethin e Korçës. E kampasur obligim ta ndihmoj Shqipërinë. Për Shqipërinë jam në gjendje të bëj çdo gjë”, ka thënë Shaqiri, i cili, teksa flet për të, s’i pushon lotët.

Ai ka thënë se do të bëjë përpjekje që të shkoj edhe në Shqipëri për ta takuar kryeministrin shqiptar.

“E kam dëgjuar kryeministrin Edi Rama që ka thënë se do të më takojë. Unë e pres këtë takim. Se kur do të ndodhë nuk e di. Por, nëse nuk më takon ai, këtë verë,nëse jam shëndosh e mirë, unë do të shkoj në Shqipëri dhe do ta takoj atë. E kam botuar një libër për të të cilin do t’ia jap”, është shprehur ai.

Shtatëdhjetëvjeçari ka treguar se ka disa dhurata dhe kërkesa për kryeministrin shqiptar. “Përveç librit, kryeministrit shqiptar do t’ia dhuroj edhe dy shalle, njërin me flamur të Kosovës e tjetrin me flamur të Shqipërisë. Gjithashtu, do t’ia jap edhe dy gurë, njëri i mermerit të Banjës së Sjarinës dhe tjetri i Trepçës. Nga Edi Rama do të kërkoj të m’i japë 200 lekë nga kuleta e tij, jo e shtetit. Vetëm kjo kartëmonedhë e lekut të Shqipërisë më mungon. Do ta kërkojë ta kem edhe pasaportën shqiptare”, ka treguar ai.

(Muhamet Koci / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot (e hënë…